LDK

Promovohet një libër në përvjetorin e vdekjes së Rugovës, Abdixhiku: Ishte më shumë se njeri, ishte epokë

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku e ka kujtuar Ibrahim Rugovën në 18 vjetorin e vdekjes, duke thënë se ai “ishte një epokë”.

Abdixhiku tha se sot ishin në ambeintet e shkollës politike “së bashku me zonjën Fana Rugova dhe anëtarë të familjes”, ku njoftoi se e promovuan librin ‘Pushteti dhe intelektualët’ të botuar nga Fondacioni “Ibrahim Rugova”.

“Ibrahim Rugova, “ishte më shumë se njeri, ai ishte një epokë” do të thoshte një Viktor Hygo i yni, siç kishte thënë ky shkrimtar për Volterin në njëqindvjetorin e vdekjes së këtij filozofit dhe mendimtari të madh. Në të vërtetë, Rugova ishte një epokë dhe pas vete la një trashëgimi të pasur intelektuale dhe një trashëgimi politike, me rezultate të papërsëritshme e monumentale”, shkroi Abdixhiku.

“Ati themeltar i shtetit të Kosovës, prijësi historik i popullit të Kosovës, themeluesi i Lidhjes Demokratike, formacionit të parë pavarësist; bartësi i lëvizjes më të madhe kombëtare për liri, pavarësi e demokraci, iku në amshim sot 18 vite më parë. Pas vete la një trashëgimi epokale, që sot na shërben si udhërrëfim kombëtar”, shtoi ai.

Fondacioni “Ibrahim Rugova”, Abdixhiku tha se “tashmë ka bërë një traditë në fushën e botimeve, duke u kujdesur, që ta ruajë, ta kultivojë dhe ta përcjellë tek breznitë e reja, mendimin politik, letrar e kulturor të Ibrahim Rugovës, duke e vlerësuar si një trashëgimi tejet e vlefshme, bazike, për të njohur Kosovën e djeshme dhe për t’u shërbyer prej saj për të ndërtuar Kosovën e nesërme”.

“Ky libër, ka këtë funksion, dhe sikur vepra në tërësi e Presidentit Ibrahim Rugova, na kujton profilin e lartë të politikanit intelektual dhe intelektualit politikan, dhe na thërret të mendojmë sa të rëndësishme janë këto dy kategori kur bëhen një zë”, tha ai.

Para promovimit, me bashkëpunëtorë, vendosëm lule tek varri i Presidentit. Nga aty, vizituam familjen Rugova, për të ndarë jo vetem dhimbjen për ikjen e Presidentit, por dhe gjithë krenarinë për trashëgiminë e tij!”, njoftoi kryetari i LDK-së.

VIDEO BONUS: Bekë Berisha: AAK-ja aktualisht është 12 për qind, sivjet shkojmë në zgjedhje