Hashim Thaçi

Promovohet libri biografik “Shtet i ri, burrë shteti modern: Hashim Thaçi, një biografi”

Në Biblotekën Kombëtare është duke u promovuar libri biografik për Hashim Thaçin nga autori Roger Boyes dhe Suzy Jagger.

Pjesëmarrës në këtë ngjarje shihen të jenë një numër i madh zyrtarësh të Partisë Demokratike të Kosovës dhe figura të tjera publike.

Në këtë promovim të librit për ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, janë duke marrë pjesë personalitete të rëndësishme nga vendi, Shqipëria, Maqedonia e Veriut e Mali i Zi.

I njëjti libëri në janar ishte promovuar edhe në Shqipëri, në prag të përvjetorit të Konferencës së Rambujes, nga ku Thaçi për herë të parë u shfaq si lider i pakontestueshëm i shqiptareve të Kosovës dhe arriti të siguroi marrëveshje me ndërkombëtarët duke mundësuar bombardimin e Serbisë, largimin e trupave serbe nga Kosova, sigurimin e transformimit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Trupat Mbrojtëse të Kosovës, referendum pas një afati për të vetëvendosur populli orientimin përfundimtar dhe garanci personale nga sekretarja amerikane e shtetit, Madeleine Albright, se gjithçka do të shkonte ashtu siç ishin marrë vesh.

Në promovimin e librit kishin folur botuesi Rexhep Hida, politikani Paskal Milo, ish-deputetja dhe njëkohësisht përkthyesja e librit në gjuhën shqipe, Arta Dade, historiani Pëllumb Xhufi dhe personalitete të tjera.

Libri “Shtet i ri, burrë shteti modern” flet se si para diçka më shumë se 20 vjet më parë “një udhëheqës i ri student-shqiptar i quajtur Hashim Thaçi udhëhoqi një revolucion kundër Sllobodan Millosheviç-it”.

Libri shpalosë se si Thaçi siguroi ndërhyrjen e NATO-s e në Kosovë, që mbetet “një shembull unik i një procesi që çoi në një tranzicion paqësor nga luftë e egër etnike drejt demokracisë moderne”.

Në kohën e botimit në anglisht International Affairs shkruante se autorët “Roger Boyes dhe Suzy Jagger tregojnë historinë e kombit më të ri të Evropës me kujdes të madh, siç mund të pritet nga reporterët me përvojë dhe të respektuar të punëve të jashtme…”.

IA shkruante po ashtu se libri përbën një “lexim të rrufeshëm për studentët të cepit juglindor të Evropës që ka prodhuar kaq shumë dhunë dhe urrejtje që nga fundi i Luftës së Ftohtë”.

“Ky është një libër jashtëzakonisht i lexueshëm”.