Prokurorja Speciale tregon se cilët dëshmitarë do ftohen për dëgjim në rastin e Gucatit dhe Haradinajt

Ka nisur seanca në Speciale ndaj krerëve të OVL-së së UÇK-së, Nasim Haradinaj e Hysni Gucati.

Nga Prokuroria e Specializuar kanë thënë se mbrojtja e Gucatit e Haradinajt gabimisht ka argumentuar në lidhje me procesin e nxjerrjes së materialeve.

Prokuroria ka thënë se ja ka bërë të ditur tashmë mbrojtjes për dëshmitarët që e ka ndërmend t’i thërras për të dëshmuar.

“Mbrojtja argumenton se ZPS-ja nuk ka nxjerrur këto materiale, duke u mbështetur në faktin se ZPS do të intervistojë edhe tjerë dëshmitarë. Nuk ka asnjë detyrim për prokurorinë që të intervistojë të gjithë dëshmitarët në sallën e gjyqit. Prokuroria synon që të thërrasë për të dëshmuar autorët e deklaratave që i janë bërë të ditura tashmë mbrojtjes. Kjo u jep përgjigje të gjitha dyshimeve të mbrojtjes për këtë pike”, ka thënë ajo.

Ajo ka thënë se të gjitha materialet e nxjerrura janë të kategorizuara sipas rregullave të përcaktuara.

“Lidhur me vendimet e fundit për masat mbrojtëse me dokumentet e protokolluara, gjykata i ka dhënë urdhër ZPS-së që mbrojtjes t’i ofrojë në dispozicion materiale të caktuara. Këto materiale do të duhen të kategorizohen. Në lidhje me këtë vendim, mund të jetë i nevojshëm nxjerrja e materialeve shtesë në bazë të kategorive”, tha ajo.

“Prokuroria do të jetë e gatshme për gjykim, pavarësisht përmbushjes së kërkesave të palëve të treta. Do të jemi në gjendje të depozitojmë dosjen paraprake të çështjes”, shtoi ajo.