Gazmend Halilaj

Prokurorja në pushim vjetor, shtyhet gjykimi për tentim vrasjen e avokatit Gazmend Halilaj

Për shkak se prokurorja e shtetit Bukurije Gjonbalaj gjendet në pushim vjetor, është shtyrë seanca e së mërkurës në rastin ku Ibrahim Lushtaku dhe Xhelal Zeqiri po akuzohen për tentim vrasjen e avokatit Gazmend Halilaj.

Sipas kryetares së trupit gjykues, gjykatëses Alltën Murseli, prokurorja Gjonbalaj përmes e-mailit ka njoftuar gjykatën se nuk mund të paraqitet në seancën e sotme për shkak se gjendet në pushim vjetor, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Po ashtu, në këtë seancë nuk ishte i pranishëm as i dëmtuari Gazmend Halilaj, i cili sipas gjykatëses Murseli kishte qenë i njoftuar me procesverbalin e datës 27 korrik 2023, por që mungesën e tij nuk e ka arsyetuar.

Në këto rrethana, seanca e radhës lidhur me këtë çështje penale u caktua më 22 dhjetor 2023.

Ndryshe, në këtë rast i akuzuari ka qenë edhe ish-kryetari i Komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku, i cili pasi ka pranuar fajësinë është shpallur fajtor për kanosjen e avokatit Gazmend Halilaj përmes një shkrimi në Facebook dhe u dënua me 2 mijë euro gjobë.

Më 28 tetor 2020, Lushtaku si dhe i akuzuari Zeqiri e kishin pranuar fajësinë vetëm për veprën penale të armëmbajtjes pa leje, derisa ishin deklaruar të pafajshëm për veprën penale të vrasjes së rëndë në tentativë.

Ibrahim Lushtaku nuk e kishte e pranuar fajësinë as për veprën penale të asgjësimit apo dëmtimit të pasurisë.

Sipas aktakuzës, pasi që avokati Gazmend Halilaj kishte bërë një shkrim në rrjetin social “Facebook”, më 11 prill 2020, kundër Sami Lushtakut, kushëriri i këtij të fundit, Ibrahim Lushtaku, me qëllim të hakmarrjes dhe në bashkëkryerje edhe me të akuzuarin Zeqiri, më 14 prill 2020, ia kishin zënë pritën Halilajt.

Në aktakuzë thuhet se me të parë Halilajn, i akuzuari Ibrahim Lushtaku me dashje që ta privojë nga jeta e ka goditur fuqishëm veturën e të dëmtuarit Halilaj, ashtu që në këtë moment ky i fundit kishte dalë nga vetura dhe kishte filluar të ikë. Sipas aktakuzës, edhe të akuzuarit Lushtaku dhe Zeqiri kishin dalë pastaj nga vetura dhe kishin shtënë me armë në drejtim të Halilajt por nuk kishin arritur ta godasin.

Me këto veprime, prokuroria i akuzon Ibrahim Lushtakun dhe Xhelal Zeqirin se kanë kryer veprën penale të vrasjes së rëndë të mbetur në tentativë.

Për shkak se i kishte shkaktuar dëme në lartësi prej 2 mijë e 700 euro veturës së të dëmtuarit Halilaj, Ibrahim Lushtaku akuzohet nga prokuroria edhe për veprën penale të “asgjësimit apo dëmtimit të pasurisë”.

Po ashtu, Ibrahim Lushtaku dhe Xhelal Zeqiri akuzohen edhe se në kundërshtim me ligjin për armët kanë mbajtur armë pa leje. Lushtaku akuzohet se ka mbajtur pa leje një revole të tipit “Ekol”, kurse Zeqiri një armë të tipit “Cervena Zastava”.

Me këtë, të dy këta akuzohen për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”. /BetimipërDrejtësi