Prokuroria Themelore e Mitrovicës: Deri tani nuk ka raste që ndikojnë në prishje të votimit në veri

Prokuroria Themelore e Mitrovicës ka njoftuar se deri më tani, nuk është shënuar asnjë incident në zgjedhjet e jashtëzakonshme të komunave veriore të Kosovës.

Sipas njoftimit, nën mbikëqyrjen e Koordinatores Nacionale për zgjedhje, Laura Pula, Prokuroria Themelore e Mitrovicës e udhëhequr nga Kryeprokurori Shyqyri Syla, është angazhuar me prokurorë dhe staf mbështetës, për monitorimin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetar të komunave, Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovica e Veriut.

Nga përcjellja e deritanishme e gjithë procesit të votimit në këto komuna, rezulton se deri më tani nuk ka pasur asnjë rast që mund të ndikoj në prishjen e procesit të votimit.

Gjithashtu koordinatorja Pula, njofton opinionin se do të reagojë në të gjitha rastet e incidenteve eventuale gjatë procesit zgjedhor dhe pas zgjedhjeve, për çdo raportim apo keqpërdorim të votës.

“Varësisht prej situatës se si rrjedhë procesi zgjedhor në këto komuna, do të njoftojmë të gjithë opinionin me kohë përmes komunikatave apo përmes konferencave për media”, ka thënë ajo.

Procesin e votimit të zgjedhjeve për kryetar të katër komunave është duke e përcjellë edhe zëvendëskryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Arben Ismajli.