Prokuroria Themelore dhe e Apelit merren vetëm me raste urgjente: S’kemi mjaft oksigjen në objekte

Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ka marrë vendim për reduktimin esencial të aktiviteteve të punës në objektin C të Pallatit të Drejtësisë, aty ku janë të vendosura Prokuroria e Apelit dhe Prokuroria Themelore e Prishtinës.

KPK thotë se ky reduktim në këto dy prokurori vjen si rezultat i gjendjes së renduar në këtë objekt, si pasojë e mungesës së theksuar të oksigjenit dhe problemeve shëndetësore të shfaqura në baza ditore tek prokurorët dhe stafi mbështetës i këtyre dy prokurorive.

“Me qëllim të realizimit të punëve emergjente, këto dy prokurori do të caktojnë prokurorë dhe staf administrativë për të kujdestaruar dhe realizuar vetëm veprimtaritë e natyrës urgjente dhe veprimet e caktuara sipas afateve ligjore”, thuhet në komunikatë.

KPK thotë se situata e krijuar në këtë objekt me pasoja shëndetësore nuk i takon përgjegjësisë së Këshillit Prokurorial të Kosovës, duke qenë se i njëjti ka ndërmarrë veprime të njëpasnjëshme brenda kompetencave të veta për gjetjen e një zgjidhjeje të këtij problemi madhor. Ky objekt është nën menaxhimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme e cila është kompetente dhe përgjegjëse për ndërmarrjen e veprimeve të mëtutjeshme.

“Të gjendur para kësaj situate, i bëjmë thirrje Ministrisë së Punëve të Brendshme që të implementojnë sa më shpejtë kontratën për hapjen e dritareve në këtë objekt. Deri në realizimin e këtij projekti, prokuroritë e lartcekura do të punojnë sipas planit emergjent”.

Këshilli Prokurorial i Kosovës thotë se nuk do të mbajë përgjegjësi për kallëzimet penale dhe paditë civile eventuale që mund të paraqiten lidhur me pasojat shëndetësore të shkaktuara nga qëndrimi në këtë objekt.​