Prokuroria Speciale ka bërë të ditur se është ngritur aktakuzë kundër ish-ministrit serb të Administrimit të Pushtetit Lokal, Ivan Teodosijeviç.

Teodosijeviç në fillim të këtij viti, kishte deklaruar se ndërhyrja e NATO-s në Kosovë kishte paraqitur agresion, teksa ish-ushtarët e UÇK-së i kishte quajtur terroristë ndërsa kishte fyer qytetarët kosovar duke thënë se masakra e Reçakut ka qenë e trilluar.

Disa ditë pas këtyre deklaratave, kryeministri Haradinaj e kishte shkarkuar ish-ministrin serb, duke thënë se gjuha e urrejtjes dhe nxitjes nuk ka vend në qeverinë e tij, transmeton Ballkani.info.

Njoftimi i plotë i prokurorisë:

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka ngritur aktakuzë pranë Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, kundër të pandehurit I.T., pasi që në cilësinë e Ministrit në Qeverinë e Republikës së Kosovës, duke keqpërdorur pozitën apo autorizimet e tij, me dashje, ka nxitur dhe përhapur publikisht urrejtje, përçarje dhe mos durim midis grupeve kombëtare, racore dhe etnike që jetojnë në Republikën e Kosovës.

I pandehuri I.T., më 24.03.2019, në cilësinë e pjesëmarrësit dhe folësit në tubimin qytetar kundër intervenimit të NATO-s, në vitin 1999 në Kosovë, të ashtuquajtur “në kujtim të viktimave të bombardimeve të NATO-s”, shprehet se “Arsyeja për agresionin në shtetin tonë ka qenë e ashtuquajtura katastrofë humanitare në Kosovë e Metohi… Masakra e Reçakut ishte trillim… Janë terroristët shqiptarë që e trilluan gjithë këtë dhe bënë krimet më të mëdha në Kosovë e Metohi… Për këtë, sot e kësaj dite askush nuk ka dhënë përgjegjësi…Kanë bërë krime para agresionit të NATO-s, kanë vrarë shtëpiak të mirë serb dhe policë në vendin e tyre të punës… gjak pirjen e tyre e kanë vazhduar edhe gjatë agresionit edhe pas ardhjes të së ashtuquajturës mision paqësor në Kosovë e Metohi”, veprime këto të cilat mund të prishin rendin publik ose të shkaktojnë pasoja tjera më të rënda në Republikën e Kosovës.

Me këto veprime I.T., ka kryer veprën penale “Nxitja e urrejtjes, përçarjes ose mos durimit kombëtar, racor, fetar apo etnik” nga neni 147, paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së. /Ballkani.info