Prokuroria pranon kërkesën për hetimin e pajisjes me pasaportë të Valdrin Sahitit, stilistit të Vjosa Osmanit

Valdrin Sahiti është disenjator i njohur në Kosovë. Që nga zgjedhja e Vjosa Osmanit presidente, ai është kujdesur vazhdimisht edhe për dukjen e saj. Ky i fundit, nga viti 2020 është i pajisur edhe me pasaportë diplomatike prej shtetit.

Demokracia.com ka raportuar ekskluzivisht më 28 maj të këtij viti për pajisjen me pasaportë diplomatike të Valdrin Sahitit.

Pas këtij raportimi ka pasur reagime të shumta gjithandej, derisa një ish këshilltar i Albin Kurtit rastin e ka proceduar në Prokurorinë e Shtetit.

Bëhet fjalë për Durim Berishën, i cili e këshillonte Kurtin në qeverisjen e parë kur ishin në koalicion LVV-ja me LDK-në.

“Prokuroria e Shtetit i ka bartur Prokurorisë Themelore kërkesën për të hetuar pajisjen e paligjshme me pasaportë diplomatike të Valdrin Sahitit. I mbetet institucioneve të drejtësisë të konsiderojnë nëse shitja e fustaneve konsiderohet interes i jashtëzakonshëm shtetëror”, ka shkruar Berisha, duke e përcjellë edhe njoftimin e Prokurorisë për inicimin e hetimeve.

Pasaporta diplomatike është një prej dokumenteve të udhëtimit me të cilën pajisen politikanët e vendit, duke nisur nga presidentja, kryeministri, kryeparlamentari, deputetët, ambasadorët e konsujt dhe familjarët e tyre, raporton Demokracia.com.

Por, pasaportë diplomatike prej shtetit të Kosovës i është dhënë edhe disenjatorit Valdrin Sahiti, i cili njëherit është stilist i presidentes Vjosa Osmani.

Demokracia.com ka siguruar Listën e Pasaportave Diplomatike të Republikës së Kosovës, e cila nuk është rifreskuar nga MPJD që nga viti 2020, pasi që aty figurojnë edhe shumë ish-posedues të mëhershëm të pasaportave diplomatike që i kanë dorëzuar ato pas ndërprerjes së mandateve.

Megjithatë, në mesin e atyre që vazhdojnë ta kenë në posedim pasaportën diplomatike të shtetit, që nga viti 2020 është edhe kreatori Valdrin Sahiti. Vjosa Osmani edhe si kryeparlamentare, edhe si presidente, asnjëherë nuk ka hezituar që ta promovojë Sahitin në mënyrë selektive dhe publikisht si stilist.

Sahiti nuk është i përfshirë në përfaqësimin diplomatik, por duket se ia ka dalë ta sigurojë një pasaportë diplomatike falë favorizimit nga shteti, pasi që fustanet e krijuar nga ai nuk i vesh vetëm presidentja Osmani, por edhe disa këngëtare me famë botërore.

Në dokumentin e siguruar nga Demokracia.com shihet se pajisja e Valdrin Sahitit me pasaportë diplomatike ishte direkt rekomandim i Ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës.