Prokuroria po i heton pesë persona për vrasjen e Ivanoviqit, Radojiciqi ende në kërkim

Prokuroria e Shtetit po i vazhdon hetimet e nisura gati dy vite më parë për t’i kapur vrasësit e Oliver Ivanoviqit. Nën llupën e hetuesisë kosovare janë pesë persona të cilët po cilësohen si të dyshuar për vrasjen e Ivanoviqit. Gazeta Express, mëson se dy nga këta pesë të dyshuar tashmë janë intervistuar nga Prokuroria Speciale e Kosovës. E shteti ende nuk ka mundur që ta kap Milan Radojiçiqin i cili tashmë dihet se po fshihet në Serbi.

Vrasësit e politikanit serb Oliver Ivanoviq ende nuk janë zbuluar, ani se për këtë çështje tashmë nga Prokuroria Speciale e Kosovës si të dyshuar po i heton pesë persona. Dy nga ta edhe janë intervistuar nga ana e prokurorëve.

Burime të Express, brenda prokurorisë bëjnë me dije se këta pesë persona dyshohet se kanë marrë pjesë në vrasjen e Oliver Ivanoviqit e cila ndodhi në mëngjesin e 16 janarit të 2018-s në Veri të Mitrovicës.

“Hetimet rreth kësaj çështjeje po vazhdojnë. Për momentin mund të ju themi se janë persë persona që po hetohen si të dyshuar. Dy nga ta tashmë janë intervistuar”, kanë thënë burime brenda hetuesisë kosovare.

E rreth këtij rasti, Kosova, tashmë ka lëshuar një urdhër arrest ndërkombëtar për Milan Radojiçiq, si i dyshuar për përfshirje në vrasje.

Milan Radojiçiq, i cili konsiderohet si njeriu më i fuqishëm i Veriut, ka qenë target në një operacioni të kryer nga njësitë speciale të Kosovës në orët e para të mëngjesit të 23 nëntorit.

Ai nuk është gjendur në shtëpinë e tij, por Policia e Kosovës ka arrestuar katër persona të tjerë, tre prej të cilëve policë serbë që dyshohej se janë implikuar në vrasjen e Ivanoviqit.

Radojiçiq edhe më tutje është në arrati, ndërsa Gjykata Themelore e Prishtinës, me kërkesë të Prokurorisë Speciale, ka lëshuar urdhër arrest.

Oliver Ivanoviq, ish-ministër dhe ish-deputet në Kuvendin e Kosovës ka udhëhequr SDP’në, ndërsa u vra më 16 janar të vitit 2018.

loading…