Prokuroria Themelore në Prishtinë ka nisur hetim ndaj kreut të Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqajt, për sulm ndaj zyrtarit policor.
Këtë e ka konfirmuar zëdhënësja e prokurorisë, Laureta Ulaj.
Ajo ka thënë sot se Molliqaj është nën hetime në drejtim të veprës penale “Sulm ndaj personit zyrtar”.
“Konfirmoj që Prokuroria Themelore në Prishtinë ka nisur hetimet ndaj D.M. në drejtim të veprës penale ‘Sulm ndaj personit zyrtar’”, ka thënë Ulaj për Paparacin.
Molliqaj gjatë një konference për media sot ka thënë se deri më tani nuk ka pranuar asnjë ftesë nga Policia e Kosovës për t’u intervistuar.
“Për PSD-në dhuna nuk është as qëllim e as mjet. Unë e kam marrë përgjegjësinë për atë që ka ndodhë”, ka thënë ndër të tjerash Molliqaj.
Demokracia.com ka tentuar të kontaktoj edhe me Policinë e Kosovës rreth intervistimit të Mollqajt por nuk ka marrë ndonjë përgjigje.
Kujtojmë se Molliqaj gjatë protestës të së shtunës ishte parë duke goditur shuplak një pjesëtar të Policisë së Kosovës.







