Prokuroria nis hetim ndaj drejtorit të shkollës që përjashtoi nga puna arsimtaren me shami

Prokuroria Themelore në Prizren ka nisur hetim ndaj Liman Bytyqi, drejtorit të shkollës “Flamuri i Arbrit” në Suharekë. Kjo pasi përjashtoi nga shkolla arsimtaren e matematikës vetëm se mbante shami.

Bytyqi nga ana e Prokurorisë ngarkohet me veprën penale, “Shkelja e statusit të barabartë të shtetasve dhe banorëve të Republikës së Kosovës”.

Këtë e ka konfirmuar zëdhënësja e Prokurorisë Themelore të Prizrenit, Fitore Mehmeti.

“Referuar kërkesës tuaj për informacione, ju njoftojmë se lidhur me rastin të cilit i referoheni, Prokuroria Themelore në Prizren ka inicuar rast në drejtim të veprës penale “Shkelja e statusit të barabartë të shtetasve dhe banorëve të Republikës së Kosovës” nga neni 190 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK). Rrjedhimisht, rasti është duke u trajtuar nga prokuroria, andaj në këtë fazë nuk mund t’ju japin detaje të tjera. Për rrjedhën e mëtutjeshme të rastit do të njoftoheni me kohë”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë dhënë Insajderit.

Në fillim të muajit shtator, arsimtarja e matematikës, Remzie Lezi, në fshatin Reshtan të komunës së Suharekës është përjashtuar nga puna për shkak të vendosjes së shamisë.

Këshilli Drejtues i Shkollës “Flamuri i Arbrit”, kishte vendosur në mënyrë unanime, që Lezi të përjashtohet nga shkolla.

“Që duke u mbështetur në UA.nr03/2016, neni 3 pika 7, që ndalon bartjen e uniformes fetare, i gjithë këshilli vendosi unanimisht që nuk i lejohet arsimtares së matematikes, znj, Remzie Lezi ta ushtrojë profesionin e mësuesisë në shkollën tonë”, thuhej në shkresën e shkollës.

Për Insajderin kishte folur edhe avokati i arsimtare, Muhamet Mujaj, i cili kishte thënë se kjo e fundit ishte ofenduar dhe nuk ishte lejuar të hyjë as brenda në shkollë.

“Jam kanë vet aty të premten e kam pa gjendjen qysh është. Drejtori është sjellë në mënyrë të vrazhdë se ka lanë asnjëherë me hy as brenda në shkollë, pa asnjë shkresë zyrtare, i ka bërë dhunë psiqike dhe e ka fyer me fjalë të ndyta”, tha avokati Mujaj.

Kujtojmë se, për lejimin e bartjes së shamisë në shkolla, para një muaji ishte zhvilluar edhe një fushatë në rrjete sociale. Ishin Durim Berisha dhe Liridon Kurti që kërkuan të ndryshohet Neni 3, paragrafi 1.13 i Udhëzimit Administrativ Nr. 06/2014 i cili ndalon bartjen e uniformës fetare në shkolla që ishte hartuar në vitin 2014 nga ministria e Arsimit.

Derisa, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, kishte thënë se udhëzimi administrativ që e ndalon bartjen e shamisë në shkolla nuk do të ndryshojë.