Prokuroria ngrit aktakuzë ndaj Liburn Aliut, IKD-ja e cilëson persekutim të drejtpërdrejtë

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë ndaj ish-deputetit të Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes “Vetëvendosje”, Liburn Aliu.

Aliu, i cili është kandidat aktual për deputet për zgjedhjet e sivjetshme të 6 tetorit, akuzohet për veprën penale “Pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrës zyrtare”, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Kjo aktakuzë ndaj tij, është ngritur për shkak se siç pretendon prokuroria, Aliu në sallën e Kuvendit të Kosovës, më 21 mars 2018, kishte marrë nga tavolinat e deputetëve 40 kartela zyrtare që shërbejnë për votim.

Ish-deputeti Aliu, këto kartela i kishte marr me qëllim që të pamundësohej votimi i marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi.

Sipas aktakuzës së siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, Prokuroria Themelore në Prishtinë aktin akuzues ndaj Aliut e kishte ngritur më 26 korrik 2019.

Ndërsa, Gjykata Themelore në Prishtinë, këtë aktakuzë e ka pranuar më 30 korrik të këtij viti.

Sipas aktakuzës, thuhet se më 21 mars 2018, rreth orës 13:44, në sallën e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Liburn Aliu akuzohet se si deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës i ka penguar personat zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, përkatësisht deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës. Prokuroria pretendon se derisa deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës kanë qenë në pauzë, i akuzuari Liburn Aliu është futur në sallën e legjislativit dhe nga tavolinat e deputetëve ka marrë rreth 40 kartela zyrtare për votim, duke pamundësuar zhvillimin e suksesshëm të seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit të Republikës së Kosovës.

E për këtë rast ka reaguar Ehat Miftaraj nga IKD, duke e cilësuar si një persekutim të drejtpërdrejtë.

Në një postim në Facebook ai ka shkruar se rasti Liburn Aliu është një ndjekje penale, persekutim apo larje e hesapeve politike?

“Prokurori i Shtetit ka ngritur aktakuze ndaj deputetit Liburn Aliu për kryerjen e veprës penale nga Neni 409 i Kodit të vjetër penal- ‘Pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare’. Sa për informacion të publikut, kjo vepër penale konsumohet në rastet kur kushdo që me forcë apo kanosje serioze, pengon ose tenton të pengojë personin zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare ose duke përdorur mjetet e njëjta e detyron atë të kryejë detyrën zyrtare, dënohet me burgim prej tre (3) muaj deri në tre (3) vjet”, shkruan Miftaraj.

Tutje ai shton se seanca e Kuvendit të Kosovës ka qenë publike, është shikuar nga qindra mijëra qytetarë të Kosovës dhe pyetja shtrohet nëse ndonjëri nga ne ka parë elemente të veprës penale të forcës së përdorur nga deputeti, ka kanos seriozisht deputeti dikë? ka përdor dhunë?

“Përgjigja është jo e madhe. Kjo është e frikshme për sigurinë juridike të secilit qytetar në Republikën e Kosovës. Kjo është persekutim i drejtpërdrejtë. Kështu veprohet vetëm në vendet diktatoriale. Kështu vepron Prokurori i Shtetit që është në shërbim të pushtetit politik për agjenda ditore”, ka shkruar Miftaraj.

Miftaraj tutje ka thënë se kjo është edhe arsyeja se pse IKD-së kërkon veting në sistemin e drejtësisë.

“Por, jo siç dikush ka dëshirë që të bëhet vetingu, që të ndërrohen disa bartës në sistemin e drejtësisë për t’i vendosur argatët e vet. Kjo është e papranueshme edhe për pushtetin aktual që e ka sjell në këtë gjendje sistemin e drejtësisë, por ësjhtë e papranueshme edhe për secilën parti që synon ta bëjë të njëjtën gjë, posa ta merr pushtetin. Veting po, jo persekutim por pastrim të sistemit të drejtësisë nga të korruptuarit, nga të politizuarit, nga ata që nuk kanë integritet personal e profesional”, ka shkruar Miftaraj.

loading…