Prokuroria

Prokuroria me aktvendim për nisjen e hetimeve për incidentin e Haki Abazit e Dardan Molliqajt

Dardan Molliqaj e Haki Abazi ende nuk i kanë dhënë versionet e tyre para prokurorit që po e heton incidentin e 11 shtatorit, kur të dy këta u përfshinë në një përleshje pas një debati që e patën me tone të larta në emisionin Pressing në T7. Dy muaj pas këtij rasti, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka marrë aktvendim për nisje të hetimeve.

Dy muaj pas përleshjes fizike në mes të Dardan Molliqajt, kandidat për deputet nga koalicioni AAK-PSD dhe Haki Abazit të Vetëvendosjes, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka marrë aktvendim për fillim të hetimeve.

Lajmin e kanë konfirmuar nga ky institucion për Gazetën Express.

“Duke ju referuar pyetjeve të parashtruara nga ana juaj, për rastin në fjalë ju njoftojmë se, prokurori i rastit, ka marrë aktvendim për fillimin e hetimeve, aktualisht ky rast ndodhet në fazën e zhvillimin të procedurës hetimore”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë Themelore në Prishtinë.

Më 11 shtator, Dardan Molliqaj dhe Haki Abazi ishin përplasur me tone të larta në debatin në Pressing të T7, derisa kjo kaloi edhe në fyerje që shkëmbyen të dy këta ndaj njëri-tjetrit.

Abazi kishte deklaruar se Molliqaj e kishte sulmuar atë menjëherë pas emisionit.

“Mas emisionit, në dalje e sipër Dardani me atë rojën e tij, ose përcjellësin, kanë ardhë edhe janë përballë, në njëfarë forme, në kacafytje, e cila ka përfundu me një situatë të pakëndshme”, kishte deklaruar për Express, Haki Abazi.

Për të njëjtin përmes Facebook-ut pati reaguar edhe Molliqaj, derisa, për këtë e kishte quajtur mashtrues Haki Abazin.

Disa javë pas përleshjes, në media dolën edhe pamjet e kamerave të sigurisë, ku shihet se çka kishte ndodhur në të vërtetë pas emisionit.

Të njëjtat video nuk i kishte pasur si provë, derisa u publikuan në media, as prokuroria themelore, u raportua në media.

Haki Abazi, Dardan Molliqaj e dëshmitarët e tjerë për incidentin e 11 shtatorit kanë dhënë deklaratë tashmë vetëm para policisë në Fushë-Kosovë.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, kishte deklaruar për Express se palët e përfshira do të thirren për intervistim pas përfundimit të zgjedhjeve në Kosovë. Mirëpo, të njejtën kishin shtuar se nuk dihet një datë e saktë.

loading…