Prokuroria kërkon paraburgimin e dy pronarëve të arrestuar nga aksioni ndaj barnatoreve në Prishtinë

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka kërkuar paraburgimin e Gzonit Salihajt pronar i barnatores “Salihaj” dhe Shkëlqim Isufi pronari i “Ivy Pharm”. Të dy dyshohen për veprat penale “kontrabandim i mallrave” dhe “prodhim dhe shpërndarje e produkteve të dëmshme mjekësore”.

Kështu ka konfirmuar zëdhënësja e Prokurorisë Laureta Ulaj për Insajderin.

“Referuar pyetjeve tuaja, ju njoftojmë se Prokurori i Shtetit, pranë gjykatës kompetente ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj dy të dyshuarve, për shkak të veprave penale “Kontrabandimi i mallrave” dhe “Prodhimi dhe shpërndarja e produkteve të dëmshme mjekësore”, sipas KPRK-së, derisa ndaj kësaj çështje penale janë duke u zhvilluar hetime“, ka thënë Ulaj për Insajderin.

Aksioni i Policisë ndaj barnatoreve në Prishtinë – Insajderi sjell emrat e barnatoreve si dhe emrat e dy pronarëve të arrestuar

Gzonit Salihaj e Shkëlqim Isufi u arrestuan me datë 16 mars pas një aksioni që kishte nisur Drejtoria për hetimin e krimeve ekonomike e Policisë së Kosovës në disa barnatore të Prishtinës. Atyre iu ishte caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh.

Nga shtatë barnatore sa u kontrolluan gjithsej policia ka arritur të sekuestrojë 598 lloje të produkteve farmaceutike.

Gjatë kontrollimit, Policia kishte kuptuar se barnat ilegale ishin vendosur në pjesë tjera të lokalit, sipas policisë në formë bunkeri.

“Sot, më 16.03.2023, hetuesit policorë në bashkëpunim me Inspektorët Farmaceutik të Ministrisë së Shëndetësisë kanë ndërmarrë veprime në teren ku janë kontrolluar shtatë (7) barnatore në kryeqytet. Gjatë kontrollimit në dy barnatore është zbuluar sasi e madhe e barnave pa banderola që dyshohet se janë kontrabanduar. Këto barna ishin të fshehura në pjesë shtesë të lokalit të rregulluar enkas për fshehjen e tyre (në formë të bunkerit)”, thuhej në njoftim.

Tutje bëhej me dije se gjatë këtij operacioni pas zbulimit të kësaj sasie të barnave, është njoftuar edhe Dogana e Kosovës të cilët kanë dalë në teren dhe janë bashkangjitur ekipeve nga institucionet e përfshira në këtë operacion.

“Ekipet policore, inspektorët farmaceutik dhe ekipet nga dogana kanë bërë numërimin e llojit të produkteve të barnave nga ku ka rezultuar se janë sekuestruar 598 lloje të produkteve, kurse sasia e barnave brenda një produkti është më e madhe dhe ka mbetur të numërohen dhe evidentohen nga njësitet përkatëse”.

Insajderi raporti se cak i aksionit të policisë ishin dy njësitet e “Ivy Pharm”, në lagjen Kodra e Trimave e Breg të Diellit, “Salihaj Pharm” e barnatorja “Rexall” në Ulpianë si dhe “Duropharm” tek Xhamia e Llapit.