Prokuroria Themelore në Prishtinë ka kërkuar që gazetarit Valon Syla, i dyshuar për veprat “dhunë në familje” dhe “lëndim i lehtë trupor” t’i shqiptohet masa “e ndalimit të afrimit vendit dhe personit të caktuar”.

Kështu ka konfirmuar për KALLXO.com, kryeprokurori Zejnullah Gashi.

Gazetari dhe drejtori i gazetës “Metro”, Valon Syla, është ndaluar për 48 orë, nën dyshimin se e ka rrahur gruan me të cilën bashkëjetonte.

Lidhur me kërkesën për këtë masë ka reaguar ministrja në detyrë e Drejtësisë, njëherësh deputetja e LVV-së, Albulena Haxhiu, e cila ka shfaqur akuza ndaj Prokurorisë lidhur me kërkesën për gazetarin Syla, duke theksuar mes tjerash se “Mjafton të dalësh nëpër studio, që të trajtohesh ndryshe nga sistemi i drejtësisë”.

“Prokuroria nuk ka kërkuar paraburgim për dhunuesin Valon Syla, por ndalim të afrimit te vendi apo personi i caktuar, përkatësisht viktima. Këto veprime, përveç që janë të papranueshme, edhe i inkurajojnë dhunuesit që të vazhdojnë me veprime të dhunshme, sepse ther në këmbë nuk i mbetet”- ka shkruar Haxhiu.