Prokuroria kërkon dënim ndaj personit që sulmoi hajnin në një objekt fetar në Gjakovë

Prokuroria Themelore e Gjakovës i ka propozuar Gjykatës Themelore që një person të dënohet sipas ligjit, pasi që i njëjti kishte goditur një person që kishte tentuar të kryej vjedhje në një objekt fetar.

Prokuroria Themelore në Gjakovë, përkatësisht departamenti për Krime të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër A.B., për veprën penale “lëndim i rëndë trupor”, nga neni 189, paragrafi 5, të KPRK-së, shkruan lajmi.net.

Sipas aktakuzës, siç bëhet e ditur nga Prokuroria Themelore e Gjakovës, i pandehuri A.B., me datë 15.09.2018, në fshatin Duzhnje, Komuna e Gjakovës, në oborrin e objektit fetarë “Tyrbja e Zenel Dervish Danës”, i ka shkaktuar lëndime të rënda trupore të dëmtuarit A.A., në atë mënyrë që pasi i dëmtuari ishte vërejtur duke vjedhur në këtë ketë objekt, i pandehuri e godet me mjet të fortë në kokë duke i shkaktuar thyerje të kockës së kokës.

“Me këto veprime ekziston dyshimi i bazuar mirë se i pandehuri ka përmbushur elementet e veprës penale të përshkruar më lartë”, thuhet në njoftim.

Prokurori i rastit, i ka propozuar Gjykatës Themelore në Gjakovë, që i pandehuri të shpallet fajtorë dhe të dënohet sipas ligjit për veprën penale e cila i vihet në barrë.