Prokuroria jep detaje të reja për aksionin në Brezovicë

Prokuroria Themelore e Ferizajt edhe gjatë ditës së sotme ka vazhduar një aksion në zonën e Brezovicës në lidhje me identifikimin e të gjitha ndërtimeve në këtë pjesë.

Prokuroria Themelore e Ferizajt përmes një njoftimi ka bërë të ditur se ky aksion është kryer në bashkëpunim me Drejtorinë e Krimeve të Rënda (DKR) në Prishtinë, Inspektoratin e Ministrisë së Mjedisit, Departamentin e Mbrojtjes së Mjedisit, Inspektoratin e komunës, Drejtorinë e Parkut Kombëtar “Sharri” dhe Agjencinë Kadastrale të Kosovës, shkruan Demokracia.com.

Sipas njoftimit, aksioni i sotëm është vazhdimësi i aksioneve të mëhershme lidhur me rastin “Brezovica.

Njoftimi i plotë i Prokurorisë pa ndërhyrje:

Ferizaj, 08 Gusht 2022 – Prokuroria Themelore në Ferizaj, njofton opinionin publik se në koordinim dhe bashkëpunim me Drejtorinë e Krimeve të Rënda (DKR) në Prishtinë, Inspektoratin e Minsitrisë së Mjedisit, Departamentin e Mbrojtjes së Mjedisit, Inspektoratin e komunës, Drejtorinë e Parkut Kombëtar “Sharri” dhe Agjensinë Kadastrale të Kosovës, edhe sot, janë duke realizuar një inspektim në zonën e Brezovicës, i cili është vazhdimësi i aksioneve të mëhershme lidhur me rastin “Brezovica.

Qëllimi i këtij inspektimi është identifikimi i ndërtimit të gjitha objekteve në zonat e mbrojtura të parkut kombëtar se në cilat zona janë ndërtuar ato, a posedojnë leje ndërtimore dhe të njëjtat a janë në pajtim me ligjin.