Prokuroria jep detaje për të shtënat me armë para ministrisë së Industrisë

Të shtëna me armë zjarri pati gjatë pasdites së djeshme në rrugën “Arbnor dhe Astrit Dehari” në Prishtinë.

Për disa orë radhazi kjo rrugë qëndroi krejtësisht e bllokuar nga Policia e Kosovës.

Një veturë në qarkullim u godit nga të shtënat me armë, nga një person i dyshimtë që po qarkullonte me një motoçikletë.

Kësisoj me të dëgjuar të shtënat, në vendin e ngjarjes arritën edhe njësitë policore.

I dyshuari në këtë rast kishte arritur që të largohej nga vendi i ngjarjes, ndërsa nga Prokuroria Themelore në Prishtinë janë deklaruar lidhur me rastin.

Zëdhënësja e kësaj prokurorie, Laureta Ulaj, tha për lajmi.net se rasti tashmë është iniciuar si “Vrasje në tentativë”.

“Rasti të cilit i referoheni, ju njoftojmë se prokurori kujdestar ka iniciuar hetime në drejtim të veprës penale “Vrasje në tentativë” dhe në koordinim me policinë janë duke u ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore me qëllim të identifikimit të dyshuarve, si dhe ndriçimit të të gjitha rrethanave të kësaj çështje penale”, tha Ulaj.

Lidhur me rastin nga Policia e Kosovës u theksua se “Bazuar në informacionet e para janë ngritur dyshimet se një person i dyshuar nga një motoçikletë në lëvizje ka shtënë me armë zjarri në drejtim të një veture. Nuk raportohet për persona të lënduar.

Po ashtu u tha se hetuesit policor në koordinim me prokurorinë, ndërmarrin veprimet hetimore për ndriçimin e plotë të rastit i cili është cilësuar vrasje në tentativë.

Ndryshe deri më tani nuk ka pasur ndonjë informacion nëse i dyshuari është identifikuar apo lokalizuar, por mbetet të shihet nëse Policia e Kosovës në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Prishtinë do të arrijnë që të ndalojnë në një afat më të shkurtër, të dyshuarin në këtë rast.