Prokuroria interviston zëvendëskryeministrin Bislimi dhe ministrin Murati pas përleshjeve në Kuvend

Me ftesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, janë intervistuar dy anëtarë kabinetit qeveritar pas përleshjes fizike që ka ndodhur të enjten në Kuvendin e Kosovës mes deputetëve të PDK-së dhe ministrave të Qeverisë.

Betimi për Drejtësi raporton se deri më tani janë dëgjuar zëvendëskryeministri, Besnik Bislimi dhe ministri Financave, Punëve dhe Transfereve, Hekuran Murati.

Mirëpo, sipas këtij burimi, procedurat hetimore janë duke vazhduar si dhe pritet që të intervistohen edhe persona të tjerë.

Gjatë ditës së djeshme, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Mergim Lushtaku ka shkruar në Facebook se ka marrë ftesë nga Prokuroria Themelore në Prishtinë.

Ndryshe, dje Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se lidhur me rastin e ndodhur në Kuvend ka iniciuar hetime në drejtim të veprës penale “Sulmi”, sipas KPRK-së, si dhe ka autorizuar Policinë në ndërmarrjen e të gjitha veprimeve të nevojshme hetimore, përfshirë po ashtu marrjen e deklaratave të palëve të përfshira në këtë rast.