Prokuroria heq dorë nga dëgjimi i ish-ministrit të Drejtësisë për rastin e arratisjes nga QKUK-ja

Edhe pse Prokuroja speciale Florije Shamolli, vetë e kishte propozuar si dëshmitar ish-ministrin e Drejtësisë Hajredin Kuçi, në rastin e arratisjes nga QKUK-ja të Sami Lushtakut vite më parë, të enjten, ajo nuk e ka konsideruar dëshminë e deputetit të PDK-së si relevante për procesin.

Kuçi, në kohën kur dyshohet që kanë ndodhur veprat penale, ka qenë ministër i Drejtësisë, në kuadër të së cilit dikaster është shërbimi korrektues.

Lushtaku dhe disa nga të pandehurit e tjerë, në kohën kur akuzohen se janë arratisur, kanë qenë duke u mbajtur në paraburgim.

Shamolli është zmbrapsur edhe nga dëgjimi i rreth 20 dëshmitarëve që vetë i ka propozuar në këtë proces.

Avokati i Lushtakut, Artan Qerkini, insistoi që në këtë proces gjyqësor të japë dëshminë e tij ish-prokurori i EULEX-it Jonathan Ratel.

Këtë e kundërshtoi prokurorja Shamolli, me arsyetimin se ai ka imunitet.

Ndërkohë, gjykimi në këtë rast është veçuar për 6 të akuzuar.

Pas kërkesës të të akuzuarave Emrush Thaçi, Bajram Dibrani dhe Shmesi Hajrizi, trupi gjykues në krye me Shashivar Hotin, vendosi të veçojë procedurën penale ndaj Rrustem Rrukollit, Fatmir Mjakut, Rexhep Xhotës, Skender Tahirit, Sheremet Jasharit dhe Bajram Dibranit.

Gjykimi ndaj këtyre të akuzuarve është veçuar për veprat penale që kanë të bëjnë me ndikim në dëshmitarë.

Ish-komandanti i UÇK-së, Sami Lushtaku, akuzohet për arratisje nga QKUK-ja, pengim të dëshmisë dhe për pjesëmarrje në grup të organizuar kriminal.

Në këtë rast, pos Lushtakut, Ismet Haxhës e Sahit Jasharit, akuzohen edhe rreth 20 persona tjerë, që, sipas Prokurorisë, ndihmuan ose nuk penguan arratisjen e tyre sa ishin në paraburgim.