Prokuroria Themelore në Gjilan, ka reaguar pas raportimit të gazetës ‘Nacionale’ dhe publikimit të një interviste me të akuzuarin nga arratia B.L., i cili është demantuar për deklaratat e tij, të dhëna gjatë kësaj interviste dhe akuzat ndaj prokurorit Agron Uka.
Sipas Prokurorisë, ndaj të njëjtit, me aktvendim për zgjerimin e hetimeve të datës 16 shkurt, kanë filluar hetimet për shkak të veprës penale ‘’Vjedhja e rëndë’’.
“I pandehuri B.L., ka qenë i pa arritshëm nga Policia e Kosovës dhe përkundër përpjekjeve të vazhdueshme të prokurorisë dhe policisë i njëjti ende nuk është arrestuar dhe gjendet në kërkim policor.” – thuhet në reagim.
Tutje, Prokuroria sqaron se pretendimet e të akuzuarit në këtë intervistë nuk qëndrojnë, pasi ndaj të njëjtit prokuroria ka ngritur këto aktakuza:
“Më datë 01 tetor 2009 është ushtruar propozim akuzë për veprën penale ‘’Falsifikimi i dokumenteve’’ nga neni 332 paragrafi 3 lidhur me paragrafin 1 dhe nenin 23 të KPRK-së,
Më datë 03 Mars 2010 është ushtruar propozim akuzë për veprën penale ‘’Lëndimi i lehtë trupor’’ nga neni 153 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 nënparagrafi 4 të KPRK-së,
Më datë 10 Janar 2011 është ushtruar propozim akuzë për veprën penale ‘’Lëndimi i lehtë trupor’’ nga neni 153 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 nënparagrafi 4 të KPRK-së.”
Ndryshe, në intervistën e publikuar, i akuzuari ka deklaruar se po vazhdon të jetë në arrati, për faktin – që sipas rrëfimit të tij – e ‘ka korruptuar në vazhdimësi prokurorin Agron Uka’.







