Prokuroria e Hagës kundër arrestit shtëpiak, përdor si argument edhe një foto të Thaçit me Qalajn

Prokuroria Speciale ka dhënë përgjigjen e saj sa i përket garancisë së ofruar nga Policia e Kosovës për Thaçin dhe të tjerët. Prokuroria ka përmendur një sërë argumentesh se pse Policia e Kosovës s’mund të ofrojë garanci që Thaçi dhe të tjerët të lirohen për në arrest shtëpiak.

Në versionin e redaktuar të Prokurorisë Speciale që mban datën 29 nëntor 2021, thuhet se kushtet që Policia e Kosovës ka ofruar për siguri të akuzuarve janë të pamjaftueshme.

Poashtu, në përgjigjen e prokurorisë para trupit gjykues është përfshirë edhe një fotografi e ish-presidentit Hashim Thaçi me ish-drejtorin e policisë Rashit Qalaj e Shpend Maxhuni si dhe me zyrtarët e PDK-së, Abelard Tahiri e Bedri Hamza.

Tutje Prokuroria Speciale përmend se Policia ka ofruar monitorim 24/7 për të akuzuarit me një zyrtar policor para derës së shtëpive të të akuzuarve, por që sipas tyre personeli është i pamjaftueshëm për arrest shtëpiak të personave të tillë me ndikim në Kosovë siç janë Thaçi, Veseli, Selimi e Krasniqi.