Prokuroria bullgare dyshon se Shërbimet ruse qëndrojnë mbrapa organizimit të shpërthimeve në fabrikat dhe depot e armëve të biznesmenit Gebrev

Zyra e prokurorisë bullgare dyshon se gjashtë shtetas rusë, në mes viteve 2011 dhe 2020,  kanë marr pjesë në organizimet dhe sulmet, që kanë rezultuar me shpërthime në katër fabrika dhe depot ku ruheshin armatimet, të cilat i përkisnin biznesmenit bullgar Emilian Gebrev.

Sipas Prokurorisë bullgare, ekziston një ngjashmëri në mes të katër shpërthimeve të fabrikave dhe depove të armatimeve, armatimet e të cilave pritej të eksportoheshin në Gjeorgji dhe Ukrainë.

Rusia kishte zhvilluar luftime me të dy shtetet, me Gjeorgjinë në vitin 2008 ku kishte okupuar  rajonet e Abhazisë dhe Osetisë Jugore, ndërsa me Ukrainën në vitin 2014 duke okupuar rajonet e Krimesë, Donjeckut dhe Luhanskut.

Emrat e gjashtë rusëve të dyshuar nuk u zbuluan nga prokuroria bullgare, por thuhet që tre nga ta më herët, dy herë kishin tentuar të vrisnin biznesmenin bullgar Emilian Gebrev.

Organet e hetuesisë bullgare më herët kishin zbuluar se të tre agjentët rusë që kishin tentuar ta likuidonin Gebrevin, kishin hyrë në Bullgari me identitete të rrejshme, Gerogy Gorshov (identiteti i vërtetë, Egor Gordienko) , Sergei Pavlov (identiteti i vërtetë, Sergei Lyutenko) dhe Sergei Fedotov (identiteti i vërtetë, Denis Sergeev).

Agjentët rusë gjatë dy tentimeve për likuidimin e Gebrev kishin përdoruar helmin ushtarak Novichok, helm i cili ishte përdorur edhe në dy tentimet për likuidimin e Sergei Skripal dhe opozitarit rus Alexei Navalny.

Gazetari investigativ bullgar, Hristo Grozev, përmes një postimi në Twitter, në lidhje me pretendimet e Prokurorisë bullgare, thotë që sipas hetimeve të vitit 2015, gjithsej tetë agjentë sekretë rusë të GRU-së kishin vizituar Bullgarinë, ku së paku pesë nga ta kishin lidhje me helmimin e biznesmenit Emilian Gebrev, djalit të tij Hristo Gebrev dhe Valentin Tahchiev.

Sipas Grozev, tri shpërthime kishin ndodhur në Bullgari ndërsa një në Çeki. Shpërthimi i parë kishte ndodhur me 12 nëntor 2011 në depon EMCO, ku ruheshin armët e destinuara për eksport në Gjeorgji. Shpërthimet e dyta dhe të treta kishin ndodhur në mars 2015, ne një fabrikë prodhimi dhe një depo në Iganovo, në pronësi të biznesmenit Emilian Gebrev.

Shpërthimi i katërt, apo shpërthimi jashtë Bullgarisë kishte ndodhur  në Çeki, në depon e municioneve në Vrbetica, e cila ishte në pronësi të biznesmenit bullgar Emilian Gebrev. Gebrev në depon e Vrbeticës kishte depozituar armatimet që do të dërgoheshin në Ukrainë, e cila kishte mungesë të municioneve dhe armatimeve si pasoj e luftimeve me forcat paramilitare ruse në pjesën lindore të Ukrainës.