Prokuroria: 48 orë ndalim ndaj 23 personave të arrestuar për dallavere me patentë-shoferë

Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton opinionin se gjatë aksionit të sotshëm të Policisë së Kosovës, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, janë arrestuar njëzetetre (23) persona të dyshuar se kanë kryer veprat penale: “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Marrja e ryshfetit”.

Prokuroria njofton se nga njëzetetre (23) personat e arrestuar pesë (5) prej tyre me inicialet B.J., A.K., L.B., H.J. dhe Sh.S., janë një (1) menaxher, tre (3) mjekë dhe një (1) psikolog i një ordinance, si dhe janë arrestuar dy personat me inicialet A.T dhe P.T., nga një auto shkollë në Fushë Kosovë.

Po ashtu, nga Ministria e Infrastrukturës janë arrestuar gjashtëmbëdhjetë (16) persona me inicialet, F.K., N.L., F.L., L.A., E.B., L.Sh., F.A., F.F., A.M., A.R., N.B., F.E., M.M., A.B., Sh.Z dhe D.Zh., prej tyre, Drejtor, menaxher dhe ekzaminer të Departamentit për Patentë Shofer.

Personat e lartcekur dyshohet se u kanë mundësuar personave të tjerë që të pajisen me patentë shofer të kategorive të ndryshme pa i kaluar testet e nevojshme, në kundërvlerë të parave në vlera të ndryshme, varësisht prej kategorisë që kanë qenë të interesuar ta marrin.

Gjithashtu, nga ky aksion janë sekuestruar, teste për provim me shkrim, dy DVR të kamerave, dy fletore të regjistrit të kandidateve për patentë shofer, si dhe dhjetë fletore të kandidatëve që janë pajisur me certifikata, të gjitha këto prova relevante që do të përdorën si dëshmi në procedura gjyqësore.
Me aktvendim të prokurorit të shtetit të gjithë të dyshuarve u është shqiptuar masa e ndalimit prej 48 orëve.

loading…