Shpetim Peci

Prokurori special në udhëtim zyrtar, anulohet gjykimi për shmangie nga tatimi e shpëlarje parash

Për shkak se prokurori special, Shpetim Peci gjendet në udhëtim zyrtar, është anuluar gjykimi ku për bixhoz të paligjshëm, shmangie nga tatimi dhe shpëlarje të parave në shumën rreth 10 milionë euro, po akuzohen 13 persona.

Në këtë rast nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), po akuzohen Arben Krasniqi, Astrit Krasniqi, Istref Veliqi, Blerim Imeri, Flakron Maqani, Xhavit Krasniqi, Bylbyl Hebibi, Skender Fetaj, Habil Krasniqi, Nexhat Ejupi, Armend Danqeli, Kreshnik Myrtollari dhe Dodë Ricaj, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Lajmi për anulimin e kësaj seance u bë i ditur nga zyra e gjykatësit Valon Kurtaj, ku u tha se prokurori ka kërkuar anulimin e seancës pasi gjendet në udhëtim zyrtar.

Në këto rrethana, seanca e radhës lidhur me këtë çështje penale do të mbahet në orarin e paracaktuar më 20 nëntor 2023.

Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), Astrit Krasniqi, Arben Krasniqi, Istref Veliqi, Blerim Imeri, Flakron Maqani, Xhavit Krasniqi dhe Bylbyl Hebibi po akuzohen për kryerjen e veprave penale “Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm”, “Kontrabandimi i mallrave”, “Shmangie nga tatimi” dhe “Shpëlarja e parave”.

Skender Fetaj dhe Habil Krasniqi po akuzohen për veprat penale “Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm”, “Shmangie nga tatimi” dhe “Shpëlarja e parave”, ndërsa, Nexhat Ejupi dhe Kreshnik Myrtollari akuzohen për veprat penale “Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm”, “Kontrabandimi i mallrave” dhe “Shmangie nga tatimi”.

Armend Danqeli po akuzohet nga PSRK-ja për veprat penale “Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm”, “Shmangie nga tatimi”, ndërsa për veprën penale “Shmangie nga tatimi” po akuzohet Dodë Ricaj.

Ndryshe, të akuzuar në këtë rast për shmangie nga tatimi kanë qenë edhe Edmond Jakupi dhe Tahir Bërbatovci të cilët pasi që më 24 maj 2021 e kanë pranuar fajësinë, janë dënuar me 2 vite burgim me kusht dhe 2 mijë e 500 euro gjobë.