Prokurori i Speciales: Të gjitha viktimat e Mustafës ishin shqiptarë që konsideroheshin pengesë për UÇK-në

E plotësuar: Prokurori i Dhomave të Specializuara të Kosovës, ka bërë të ditur se në gjykimin ndaj Salih Mustafës do të thirren për të dëshmuar familjarë të viktimave.

Ai ka thënë se të gjitha viktimat e komandant “Calit” ishin shqiptarë të Kosovës.

“Viktimat e z.Mustafa ishin të gjithë shqiptar të Kosovës. Këta njerëz nuk ishin armiq të Kosovës nuk ishin spiunë, krimi i tyre i vetëm ishte sepse konsideroheshin si pengesë e UÇK-së. E vërteta siç do të dalë, është se disa udhëheqës të UÇK përfshirë këtu edhe z.Mustafa e përdorën autoritetin e tyre për të brutalizuar ndaj personave që këta mendonin se ishin kundër UÇK-së”, u shpreh Prokurori.

Prokurori theksoi se Gjykata Speciale nuk ngreh akuza ndaj UÇK-së dhe luftës për liri e pavarësi siç është pretenduar.

“ZPS nuk ngreh akuza ndaj UÇK-së apo luftës për lirinë. Është thënë se këto gjyqe po bëhen kundër Kosovës dhe popullit të saj, dhe kjo nuk është aspak e vërtetë”, u shpreh prokurori i Speciales.

Ai shtoi se akuzat kanë të bëjnë me individë të përmendur me emra, për ndalim, keqtrajtim dhe torturim të kosovarëve.

Mustafa: Nuk jam fajtor për asnjë akuzë të zyrës së “Gestapos”

E plotësuar: Ish-komandanti i UÇK-së, Salih Mustafa ka deklaruar sërish para trupit gjykues të Gjykatës Speciale se është i pafajshëm për akuzat që e ngarkojnë.

Në pyetjen e gjykatëses se a i kupton akuzat të cilat rëndojnë mbi të, ai u përgjigj se “Po e kuptoj por nuk ka asgjë me të vërtetën”.

Gjykatësja pastaj e pyeti se a e konfirmon deklaratën e dhënë në muajin tetor ku u deklarua i pafajshëm, Mustafa u përgjigj “Nuk jam fajtor për asnjë nga pikat që mi ngarkon kjo zyrë e Gestapos”.