Prokurorët në Argjentinë janë duke e marrë parasysh mundësinë e ngritjes së akuzave kundër princit të Arabisë Saudite, Mohammed bin Salman, gjatë kohës kur ai do të qëndrojë në Argjentinë për samitin e G20-ës. Nëse ndërmerret një hap i tillë, besohet se ai do të akuzohet për krime lufte në Jemen dhe torturë ndaj njerëzve.
Kjo mundësi është hapur pasi grupi për mbrojtjen e të drejtave njerëzore, “Human Rights Watch” i shkroi një prokurori federal, duke i thënë se gjykatat argjentinase duhet të mbështetetn në një statut të jurisdiksionit ndërkombëtar për ta kërkuar ndjekjen penale të princit saudit. Sipas tyre, ai duhet të akuzohet për pasojat e rënda në njerëz gjatë luftës në Jemen dhe torturë kundër qytetarëve të caktuar të Arabisë Saudite, përfshirë edhe vrasjen e gazetarit Jamal Khashoggi.

Shkresa është pranuar nga një gjykatës federal, i cili më pas ia dorëzoi atë një prokurori federal. Prokurori tash duhet të vendosë nëse parimi i përgjithshëm juridik mund të zbatohet në rastin e princit. Disa burime nga sektori i drejtësisë kanë thënë se gjasat që princi saudit të përndiqet penalisht janë shumë të vogla sepse vrasja e gazetarit vështirë se mund të cilësohet si krim kundër njerëzimit.

Princi Salman është njëri nga të ftuarit e samitit dyditor, i cili pritet të fillojë të premten. Presidenti amerikan ka deklaruar se është i gatshëm ta takojë princin, pavarësisht rritjes së kundërshtimeve nga Kongresi lidhur me ndihmat për Arabinë Saudite dhe sulmet e saj ajrore në Jemen. Që nga fillimi i kësaj lufte, vlerësohet se janë vrarë mbi 50 mijë persona, ndërsa një organizatë për të drejtat e fëmijëve ka thënë se rreth 85 mijë fëmijë mund të kenë vdekur nga uria, shkruan “The Guardian”,