Projektligji i ri për Këshillin Prokurorial, Konjufca ia çon sërish Komisionit të Venecias

Kryeparlamentari Glauk Konjufca e ka çuar në Komisionin e Venecias Projektligjin për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit për Këshillin Prokurorial.

Për projektligjin që Qeveria e procedoi në Kuvend para pak ditësh, Konjufca Konjufca ka kërkuar opinion nga Komisioni i Venecias.

“Duke qenë se drafti ka pësuar ndryshime që nga vlerësimi i Komisionit të Venecias, kryetari Konjufca ka kërkuar opinion për projektligjin në tërësi, duke e konsideruar si vendimtare në arritjen e objektivit për reformim të Këshillit Prokurorial të Kosovës dhe adresimit të shqetësimeve dhe çështjeve të ngritura më parë”, thuhet në komunikatën për shtyp të Drejtorisë për Media dhe Marrëdhënie me Publikun të Kuvendit.

“Si shtet anëtar i Komisionit të Venecias, Kosova mbetet e përkushtuar ndaj respektimit të parimeve themelore të demokracisë, të drejtave të njeriut dhe sundimit të ligjit”, thuhet në komunikatë.

Gjykata Kushtetuese në mars e kishte hedhur poshtë ligjin për Këshillin Prokurorial, i cili, sipas Qeverisë, do t’i hapte rrugë reformave të thella në sistemin e drejtësisë. Sipas aktgjykimit, ligji binte ndesh me nenet e Kushtetutës për formën e qeverisjes dhe ndarjen e pushtetit, kompetencat e Kuvendit, rolin e Avokatit të Pupullit, barazinë para ligjit e nenin për Këshillin Prokurorial.

Ligji i rrëzuar përcaktonte që gjashtë prej nëntë prokurorëve aktualë në KPK do t’iu ndërpritej mandati. Tre, të cilët do të mbeteshin aty deri në përfundim të mandatit, do të përzgjidheshin me një short, siç thoshte ministrja Albulena Haxhiu. Për plotësimin e përbërjes së KPK, do të organizoheshin zgjedhje në nivel të të gjitha prokurorive ku mund të votojë secili prokuror.

Instanca më e lartë mbi pushtetin legjislativ dhe ekzekutiv në Kosovë ka pasur vërejtje serioze sidomos në këtë pikë. Sipas Gjykatës Kushtetuese, kjo do të kishte pasoja edhe në rendin demokratik e sundimin e ligjit në vend.

Kushtetuesja në arsyetim e kishte përmendur opinionin e Komisionit të Venecias, duke thënë se “përfundimi i parakohshëm i mandateve duhet të jetë gjithmonë i lidhur me një shkelje të identifikueshme ose dështim në kryerjen e detyrës të anëtarit përkatës dhe të ndjek bazën, përfshirë procedurën kushtetuese/ligjore për shkarkim apo përfundim të mandatit sipas së cilës janë fituar” sepse në të kundërtën, “ndërprerja e mandateve të institucioneve kushtetuese, do të mund të varej në vazhdimësi nga preferencat e pushtetit ekzekutiv dhe/ose legjislativ”.

Gjykata Kushtetuese vlerësoi se “marrë parasysh natyrën e dispozitave të Ligjit të kontestuar të shpallura në kundërshtim me Kushtetutën dhe faktin që pjesa tjetër e Ligjit të kontestuar do të ishte vështirë e zbatueshme pas shpalljes së dispozitave të lartcekura si të pavlefshme, Ligji i kontestuar, në shërbim të parimit të sigurisë juridike, duhet të shpallet i pavlefshëm në tërësinë e tij”.