Programi orientues i sigurisë për zgjedhjet e 6 tetorit

Sot do të mbahet takim pune lidhur me programin orientues të sigurisë për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, që do të mbahen më 6 tetor 2019.

Në këtë takim marrin pjesë edhe përfaqësues të Policisë së Kosovës, Prokurorisë së Shtetit, Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa dhe Këshillit Gjyqësor të Kosovës.

Nga sot e deri më 4 tetor, për 10 ditë sa do të zgjasë fushata, të 25 subjektet politike dhe koalicionet parazgjedhore, do të kenë mundësinë që të paraqesin programet dhe ofertat e tyre para qytetarëve të Republikës së Kosovës.

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), që kësaj radhe garon e vetme, ka paralajmëruar se hapjen zyrtare të fushatës zgjedhore do ta bëjë të mërkurën në kryeqytet, respektivisht në Sheshin “Ibrahim Rugova” nga ora 17:30.

Këtë e ka konfirmuar për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus, sekretari organizativ i LDK-së, Arban Arbashi.

“LDK do ta bëjë hapjen e fushatës në Sheshin “Ibrahim Rugova” në ora 19:30. Atje do t’i prezantojmë kandidatët tanë për deputetë dhe programin tonë qeverisës”, tha Abrashi.

Edhe koalicioni parazgjedhor Nisma-AKR-PD do ta nis fushatën zyrtarisht nga kryeqyteti i Kosovës, Prishtina. Ky koalicion ka përzgjedhur Sallën “1 Tetori” për të pritur të mërkurën nga ora 18:00 elektoratin e saj.

Por disa nga subjektet politike që garojnë në zgjedhjet e parakohshme të 6 tetorit, kanë vendosur që hapjen zyrtare të fushatës më 25 shtator ta bëjnë jashtë Prishtinës. Janë Lëvizja Vetëvendosje dhe koalicioni AAK-PSD, të cilat fushatën do ta hapin larg kryeqytetit.

Përmes një postimi në profilin zyrtar Vetëvendosje ka bërë të ditur se fushatën zgjedhore do ta hapë në ora 16:00, në Sallën e Sporteve “Minatori”, në Mitrovicë.

Ndërkaq nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ahmet Isufi, i cili përfaqëson koalicionin AAK-PSD ka treguar për FaktePlus se kanë vendosur që hapjen e fushatës ta bëjnë nga qyteti i Therandës.

“Hapja e fushatës zgjedhore do të bëhet në Therandë në Sallën e Sporteve në ora 18:00”, ka thënë Isufi.

Kurse në orët e mbrëmjes pritet që edhe Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ta bëjë publik vendin e hapjes së fushatës zgjedhore.

Kujtojmë se ashtu siç ka vendosur KQZ, fushata zgjedhore për zgjedhjet e parakohshme të 6 tetorit zyrtarisht do të fillojë sot, më 25 shtator, dhe do të zgjasë 10 ditë, deri më 4 tetor. Në këto zgjedhje garojnë 20 parti, 4 koalicione dhe 1 kandidat i pavarur. Ndërkaq numri i qytetarëve të cilët kanë të drejtë vote në zgjedhjet e sivjetme ka arritur gati në 2 milionë, saktësisht janë 1,937,868 qytetarë me të drejtë vote.

loading…