Programi i Qeverisë: S’bëjmë gabime duke dhënë data për liberalizim të vizave, do të punojmë me shtetet që janë skeptike

Qeveria e Republikës së Kosovës e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti, ka publikuar programin qeverisës 2021-2025, si dhe programin legjislativ për vitin 2021.

E, të politika e jashtme, Qeveria ka përmendur edhe liberalizimin e vizave, duke theksuar se Kosova tashmë i ka plotësuar të gjitha kushtet.

“Kosova i ka plotësuar të gjitha kushtet e kërkuara për liberalizimin e vizave. Shumica dërrmuese e shteteve anëtare të BE-së, Komisioni i BE-së dhe Parlamenti Evropian e mbështesin dëshirën e qytetarëve të Kosovës për të mos mbetur vendi i vetëm i izoluar në Ballkan”, thuhet në programin e publikuar.

Më tej, Qeveria Kurti thotë se nuk do të bëjë gabime duke dhënë data, por që do të punojnë me qeveritë e shteteve që janë skeptike rreth liberalizimit të vizave.

“Janë disa nga qeveritë e shteteve anëtare të BE-së, të cilat ende hezitojnë. Qeveria e Republikës së Kosovës nuk do të bëjë gabimet e së kaluarës duke dhënë data të gabuara. Me ndihmën e partnerëve tanë ndërkombëtarë do të punojmë me qeveritë e shteteve që ende janë skeptike që të arrijmë liberalizimin e vizave për qytetarët tanë sa më parë që të jetë e mundur. Nga këto shtete do të kërkojmë njëkohësisht që qytetarët e Republikës sonë mos të bëhen peng i debateve të politikës së brendshme të tyre”.

Qeveria thekson tutje se “në pyetje është jo vetëm liria e lëvizjes e qytetarëve të Kosovës, por edhe kredibiliteti i institucioneve të BE-së. Nevojitet besim, jo diskrimini”.