Kreu i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka shkruar në profilin e tij për një llogari të rrejshme me emrin “Floralba Demaku” që thotë se është përdorur gjatë fushatës para zgjedhore. Lladrovci thotë se personi që e ka marrë përgjegjësinë në Gjykatë por jo edhe në Polici, ku ka treguar se janë më shumë të tilla.
Lladrovci thotë se për nga mosha dhe e kaluara e tij,personi që ka marrë përgjegjësinë duket më i pafajshmi dhe se ndjen keqardhje që një i ri, dizajner e njohës i rrjeteve sociale të bënte shkelje ligjore e të fytente njerëz pa argumente.
Ai tutje ka shkruar se të vërtetën për profilet e shumta duhet ta thotë porositësi i lajmeve përmes “Viber” dhe profesori Armend Demaku i cili kishte rënë nën ndikimin e kryetarit të Demokratëve për Drenasin, Driton Ajazajt, për të pasur qasje në profil dhe për të lansuar të pavërteta të fushatës.
“Thuajeni të vërtetën sepse ajo ju çliron nga barra e fajit ndaj fyerjeve të rënda, në veçanti sulmet kundër grave e vajzave, duke sulmuar integritetin e tyre moral e njerëzor nëpërmjet dhjetëra profileve të rrejshme, që ato të mos përsëriten”, ka shkruar Lladrovci.
Reagimi i plotë:
Secili e ndërton karrierën politike mbi një veprimtari të mëhershme, apo me kontribute në rrjedhat aktuale dhe i hyn garës për zgjedhje.
Unë, nuk kam prit të më votojnë të gjithë qytetarët. Jo vetëm për shkak të kaluarës time politike nga rinia e hershme, apo veprimtarisë për çlirim, por edhe për shkak të natyrës time të sinqertë.
Më ka habit fakti se deri më tani, pronësinë e profilit të rrejshëm “Floralba Demaku”, e ka marrë mbi vete vetëm një person në Gjykatë por jo edhe në Polici, ku deklaron se ishin shumë. Ai për nga mosha dhe e kaluara e tij, më duket më i pafajshmi. Sigurisht, ndjej keqardhje që një i ri, dizajner dhe njohës i rrjeteve sociale, të kryente shkelje ligjore dhe fyen njerëz pa argumente.
Të vërtetën për dhjetëra profilet, duhet ta thotë porositësi i lajmeve me viber, si dhe profesori, Armend Demaku, i cili po ashtu, kishte rënë nën ndikimin e kryetarit të DD, për të pasur qasje në profil dhe për të lansuar të pavërteta të fushatës.
Thuajeni të vërtetën sepse ajo ju çliron nga barra e fajit ndaj fyerjeve të rënda, në veçanti sulmet kundër grave e vajzave, duke sulmuar integritetin e tyre moral e njerëzor nëpërmjet dhjetëra profileve të rrejshme, që ato të mos përsëriten.
P.S. Ende nuk e kuptova se porositësit e mesazhit kundër Komandantit të Përgjithshëm të UÇK-së, Azem Syla, a i kanë kërkuar ende falje! Porositësit e lajmit kundër Azem Sylës, si “shef i Nazim Bllacës e Fahredin Gashit”, nuk besoj se është i ri, as i paditur, për më keq, a mos janë pikërisht ata shokë të Nazimit e Fahredinit?







