Profesori nga Parisi i del në krah Buxhovit, brenda UCK-së kishte papastërti të gërditshme

Profesori i Shkencave Politike në Universitetin e Parisit, Nezir Kraki përmes një postimi në Facebook ka mbështetur historianin Jusuf Buxhovi rreth deklaratave të këtij të fundit në lidhje me luftën e UÇK-së.

Ai ka shkruar se Jusuf Buxhovi ka të drejtë në deklaratat e tij.

Sipas Krakit, lufta e UÇK-së padyshim se ka pasë qëllim të pastër por brenda UÇK-së ka pasë papastërti të gërditshme.

“Nga ajo papastërti kanë dalë shumica e atyre që torturonin popullin menjëherë pas luftës dhe shumica e këtyre që sot e dhunojnë Kosovën dhe popullin e saj. Këta që s’u ngopen edhe pse kanë 20 vite që vjedhin”.

Ai ka thënë se ata që e kritikojnë Buxhovin janë të dhunuar nga të njejtat banda.

“Edhe ju që e kritikoni sot Jusuf Buxhovin jeni të dhunuar deri në dinjitet nga të njejtat banda. Nuk mund ta rezymoni veprimtarinë e Buxhovit me një fjali që kopjohet e shpërndahet pa kontekst”.

Profesori Kraki, u shpreh se individët e caktuar në UÇK e kanë zbehur qëllimin fisnik të luftës.

“Tash a të themi se ata ranë nga qielli në Kosovë në vitin 2000? Jo! Ata dolen nga UÇK-ja dhe me sjelljen e tyre e zbehen edhe qëllimin fisnik të luftës. Me çdo veprim të tyrin e kanë turpëru edhe luftëtarin e gjallë edhe heroin e vrarë. UÇK, ajo e vërteta me qëllim të pastër e ka kry misionin e saj. Ajo s’ka lidhje me këta”.

Kraki, duke i dalur në krah Buxhovit e ka cilësuar këtë të fundit si një njeri që me vite ka shkruar për çështjen e Kosovës pa dhurata e privilegje nga shteti bandit.

Ai është shprehur se vrasjet politike do të rifillojnë në momentin që këta që janë në pushtet e humbin atë.

“Ditën kur këta do mbesin pa torten e shtetit dhe kur ta kuptojnë që pasuria, diplomat, kravatat e krejt jeta e tyre ishin veç fiksion, ka fort gjasa te rifillojnë vrasjet politike. Mbajeni në mend këtë”.

Kraki ka bërë thirrje të lihet i qetë Buxhovi dhe të kërkohet fajtori i vërtetë që njerëzit në Kosovë nuk kanë as ku me u shëru e as me u shkollu.

loading…