Zbulimi

Profesorët e Universitetit të Prishtinës zbulojnë mbishkrimin ku theksohet “qyteti dardan”

Rektori i Universitetit të Prishtinës, prof. dr. Qerim Qerimi, sot ka vizituar ekipin e gërmimeve arkeologjike në Ulpianë.

Profesor Arben Hajdari, profesor në Fakultetin Filozofik, Departamenti i Antropologjisë dhe Historisë, e njoftoi rektorin për gjetjen e jashtëzakonshme gjatë gërmimeve arkeologjike, të cilat po bëhen në bashkëpunim me Institutin Arkeologjik të Kosovës dhe Ecole Normale Superiuere nga Franca.

Profesor Hajdari shpjegoi se bëhet fjalë për një mbishkrim në kishën paleokristiane, të zbuluar gjatë gërmimeve në Ulpianë (Justiniana Seconda), dedikim ky i perandorit Justinian (527-565), kushtuar “qytetit dardan”. Kjo gjetje është ndër gjetjet më të rëndësishme në arkeologjinë e Kosovës, si referencë për vazhdimësinë e rëndësisë së identitetit dardan në antikitetin e vonë dhe mesjetën e hershme.

Rektori Qerimi përgëzoi profesorët e UP-së, studentët e Departamentit të Antropologjisë dhe Historisë dhe gjithë ekipin e gërmimeve për këtë zbulim të jashtëzakonshëm me rëndësi të madhe historike për Kosovën, rajonin dhe botën. Rektori premtoi mbështetjen e Universitetit të Prishtinës për gërmimet arkeologjike në Ulpianë.