Procesi i rilencsimit po u shkakton telashe financiare federatave, reagon Komiteti Olimpik

Procesi i rilencsimit po u shkakton telashe financiare federatave, reagon Komiteti Olimpik

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka hapur tash e disa javë procesin e aplikimit për të gjitha federatat të cilat duhet të kompletojnë dhe ta paraqesin dokumentacionin e nevojshëm në mënyrë që të rilicensohen pranë kësaj ministrie.

KosovaPress nga burime brenda disa federatave, ka mësuar se ky proces nuk po del të jetë fare i lehtë për një numër të konsiderueshëm të federatave të cilat po hasin në vështirësi jo vetëm burokratike por edhe financiare.

E këtë problematikë e ka konfirmuar presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi, i cili në një intervistë për KosovaPress, ka thënë se kanë pranuar ankesa nga shumë federata, të cilat po kërkojnë shtyrjen e këtij procesi.

“Mendoj që ka qenë i nevojshëm, ndoshta jo për të gjitha federatat por për federata në veçanti, mirëpo ligji është për të gjithë. Vërtet kemi hasur dhe ne e kemi parë që disa federata kanë hasur në vështirësi sa i përket këtij ligji për shkak të kohës sepse është kërkuar nga ministria që te disa federata të ndryshohet edhe statuti i tyre edhe normal që për ta ndryshuar statutin federatat duhet të ta thërrasin kuvendin, në këtë rast kuvend i jashtëzakonshëm që nuk është e lehtë të bëhet. Madje kemi pasur edhe disa kërkesa apo ankesa nga disa federata të cila i kanë përcjellë me e-mail në Komitetin Olimpik të Kosovës që të rishqyrtohet prapë shtyrja e licensimit të paktën mos të ndalen mjetet nga ministria derisa t’i përfundojnë dokumentacionet e ndryshme federatat në përgjithësi”, tha Krasniqi.

I pari i KOK-ut bënë të ditur se tashmë kanë zhvilluar një takim me drejtuesit e MKRS-së, ku është kërkuar që të mos bllokohen financat e dedikuara për këto federata sepse kjo do të ndikonte në pasivizimin e aktiviteteve të tyre për këtë vit kalendarik.

“Ky është problemi më i madh që tani sfidohen të gjitha federatat dhe kjo ka qenë edhe takimi i fundit që kemi pasur me ministrinë, ministrin dhe sekretarin e ministrisë dhe po mendojmë që sa më shpejtë ta zgjidhim këtë problem që t’i lirojmë federatat nga ky ngërç sepse nuk mund të funksionojnë federatat pa buxhet dhe është koha e aktivitete shumë të mëdha në federata nga shtatori deri në dhjetor kanë aktivitete të shumta të gjitha federatat dhe pa e pasur buxhetin nuk mund të shkojnë në këto aktivitete…Ne po duam që para se të bëhet rilicensimi të lirohen këto mjete dhe mandej nëse fillon licensimi, të bllokohen mjetet, nëse një federatë nuk licensohet prej janarit 2023, e jo tani në 2022-ën”, theksoi Krasniqi.

Krasniqi flet edhe për strategjinë kombëtare të sportit për të cilën thotë se po punohet me përkushtim dhe se kjo strategji do të qartësojë edhe më shumë se cilat janë nevojat më urgjentë të sportit në vendin tonë.

“Për herë të parë po ndodh diçka shumë pozitive sa i përket sportit përmes strategjisë së sportit që po bëhet për herë të parë në Kosovë, kjo strategji kombëtare. E thatë edhe ju, kemi pasur dy tryeza të përbashkëta me Ministrinë për Kulturë, Rini dhe Sport dhe federata të ndryshme…Kemi marrë shumë rekomandime nga shumë kryetarë dhe përfaqësues të federatave të ndryshme që ka qenë edhe arsyeja e këtij takimi, kësaj tryeze dhe ato rekomandime tani janë duke u përpiluar dhe duke u futur në strategjinë kombëtare nga grupi punues…Kjo do të jetë edhe një shtyrje për investime kapitale, investimet në salla të ndryshme sepse strategjia kombëtare i cakton edhe nevojat e të gjitha sporteve e federatave të ndryshme se sa ka nevojë që të investohet në infrastrukturë dhe kjo do të jetë një investim i veçantë dhe një investim shumë i mirë për sportin në Kosovë”, tha Krasniqi.

Sa i përket aktiviteteve brenda KOK-ut, Krasniqi tha se momentalisht janë duke punuar në disa projekte së bashku me bashkësinë evropiane, si dhe në rritjen e buxhetit që më pas do të shpërndahen nëpër federatat sportive.

“Tani jemi duke punuar edhe në disa momentalisht në projekte nga Bashkësia Evropiane ku Kosova tashmë i ka fituar së fundi dy projekte nga programi “Rasmus plus” që do ta ngritin edhe buxhetin e Komitetit Olimpik të Kosovës, njëkohësisht edhe sportin. Mandej jemi duke punuar edhe në gjetjen e sponsorëve shumë seriozë ku tashmë jemi në kontakt me disa kompani shumë seriozë në Kosovë edhe për një kohë të shkurtër do të jetë nënshkrimi i marrëveshjeve nga ato kompani të cilat emri i tyre do të bëhet i njohur në momentin e nënshkrimit të kontratës. Kështu që të gjitha këto janë në interes të Komitetit Olimpik të Kosovës në zhvillimin e sportit sepse të gjitha këto pjete do të përdoren për zhvillimin e sportit dhe federatat të cilat janë pjesë e Komitetit Olimpik të Kosovës.”, tha në fund Krasniqi.

Si drejtues u shtëpisë më të madhe sportive në vend, Krasniqi u shpreh shumë i lumtur edhe me të gjitha sukseset që po i arrin sporti kosovar në fusha të ndryshme.