Procedura kokëçarëse e pajisjes me vizë Shengen për kosovarët, sa merr kohë dhe sa kushton

Një qytetar i Kosovës për t’u pajisur me një vizë Shengen në njërën nga ambasadat e shteteve që janë pjesë e shëngen zonës duhet të planifikojë aplikimin të paktën dy muaj më herët.

Për të kapur një termin në ambasadë nevojiten një kallabllak dokumentash e qindra euro shpenzime.

Fillimisht duhet të plotësohet formulari i aplikimit për vizë shëngen, pastaj certifikata e lindjes e certifikata e bashkësisë familjare. Një person i punësuar duhet ta ketë me vete edhe kontratën e punës nga punëdhënësi dhe dëshmitë e pagesës së kontributeve pensionale në 6 muajt e fundit.

Ambasada kërkon poashtu dëshmi të ftesës apo rezervimit të akomodimit dhe bileta e udhëtimit.

Poashtu ju nevojitet një bilanc i xhirollogarisë bankare si dëshmi që keni mjete të mjaftueshme për udhëtim dhe fotografi në madhësi të pasaportës.

Përveç këtyre dëshmive, ambasada kërkon edhe sigurim shëndetësor për 90 ditë qëndrimi në zonën shengen.

Bashkë me dosjen e dorëzimit të dokumenteve paguhet edhe 80 euro për aplikim në ambasadë dhe 29 euro për kompaninë që bën ndërmjetësimin e dorëzimit të dokumenteve në ambasadë.

Koha më e afërt që duhet të pritet nëse është dhënë viza apo jo është 10 ditë pune.

Totali i procedurës së kompletimit të dokumenteve dhe aplikimit në ambasadë kushton mbi 200 euro.

147 vende të botës kërkojnë vizë për kosovarët që duan të udhëtojnë në ato shtete./REL