Komunat e Kosovës

Prizreni, Ferizaj e Podujeva të pakënaqura me numrin e testimeve, në Prishtinë ankohen për vonesa të rezultateve

Komunat e vendit po ankohen për numrin e ulët të testimeve që po kryhen në javët e fundit. Pavarësisht rritjes së numrit të rasteve, thonë se po vazhdojnë të testohen vetëm ata që kanë simptoma. Ankesa kanë edhe për vonesat në rezultate, për të cilat thonë se po arrijnë t’i marrin tek pas 2-3 ditësh.

Në kryeqytetin e Kosovës, ku aktualisht janë rreth 750 raste aktive me COVID-19, sot janë testuar 100 persona.

Drejtori për Shëndetësi në Prishtinë, Bujar Gashi i ka thënë Gazetës Express se numri i testimeve që kryhen gjatë një ditë në kryeqytet sillet prej 50 deri në 100, derisa për rezultatet e këtyre testimeve thotë se ndonjëherë iu bie të presin deri në 72 orë.

“Sot janë testuar rreth 100 persona. Numri mestar i atyre që testohen gjatë një dite sillet prej 50 deri në 100. Rezultatet na vijnë varësisht nga prioritetet e IKSHP’së dhe nga ngarkesa nga 24 deri në 72 orë. Aktualisht i kemi 742 raste aktive”, ka thënë Gashi.

Ankesa për numrin e testimeve kanë edhe familjarët e të infektuarve, rastet e kontaktit, por edhe mantelbardhët.

Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu i ka thënë Expressit se në këtë komunë ka nevojë për më shumë testime. Ai ka treguar edhe se si një mjek në Repartin e Stomatoligjisë ka rezultuar pozitiv dhe se nëse nuk testohen kolegët e tij, do të detyrohen ta mbyllin komplet repartin.

“Sot nuk e kam ende shifrën e saktë, por janë marrë rreth 10. Ka nevojë për më shumë testime, sepse kemi shumë kërkesa. Kërkesat janë prej familjarëve të të infektuarve, rasteve të kontaktiti dhe prej mantelbardhëve, meqenëse një numër i tyre kanë rezultuart pozitivë. Psh e kemi një rast që një mjek i repartit të Stomatologjisë ka rezultuar pozitivë dhe ai ka pasur kontakt edhe me kolegët e tjerë”, ka thënë Aliu.

Sipas tij, numri mesatar i testimeve që kryhen gjatë një ditë në këtë qytet shkon në rreth 30.

“Nëse ata nuk testohen, duhet të mbyllet komplet reparti. Numri mesatar i testimeve që po kryhen gjatë një ditë në Ferizaj është 20-30. Po, kemi vonesa edhe në rezultate, së paku dy ditë. I kemi 115 raste aktive, 10 prej të cilëve janë të shtirë në Spitalin Rajonal në Ferizaj, ka thënë Aliu për Express.

Për numrin e testimeve dhe vonesat në rezultate ka pakënaqësi edhe në Prizren.

Nënkryetari i komunës, Visar Shehu i ka thënë Gazetës Express se po testohen shumë pak persona. Sipas Shehut, gjatë një dite në Prizren testohen 10-12 persona.

E për t’i marrë rezultatet e atyre që janë testuar thotë se po iu duhet të presin së paku dy ditë.

“Në Prizren po bëhen numër shumë i vogël i testimeve. Mesatarisht në ditë po kryhen nga 10-12 testime, e që është numër shumë i vogël. Numrin e mostrave që janë marrë sot për testim nuk e di. Aktualisht i kemi 100 raste aktive në Prizren, me shtatë rastet e mbrëmshme. Vonesa në rezultate po kemi ende, por tash ka 2-3 ditë”, ka deklaruar Shehu.

Më shumë testime po kërkon edhe Podujeva. Specialistja Bedrie Rama, e cila është pjesë e Shtabit Emergjent në këtë komunë, thotë se do të duhej të bëheshin më shumë testime tash kur po ka rritje të numrit të rasteve.

Rama thotë se numri më i lartë i testimeve që janë kryer gjatë një ditë në Podujevë në këtë muaj ka qenë 35.

“Në javët e fundit ish dasht me pas më shumë testime, meqenëse edhe ka pas raste më shumë. Ne për shkak të rritjes së rasteve kemi kërkuar që testimet të kryhen në Podujevë, meqenëse në Prishtinë nuk u merrshin fort parasysh. Më së shumti testime që janë kryer gjatë një ditë të këtij muaji kanë qenë 35”, tregon ajo.

E për dallim prej Ferizajt e Prizrenit, Podujeva nuk po ka vonesa në rezultatet. Rama thotë se në shumicën e rasteve, rezultatet po i pranojnë brenda ditës.

“Në Podujevë i kemi 24 raste aktive, një prej të cilëve është në gjendje pak më të rëndë. Vonesa në rezultatet s’po kemi së fundi. Mundet më ndodh që brenda ditës po i kemi rezultatet apo më së largu të nesërmen”, ka thënë Rama.

Ndryshe, dje në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 429 mostra të marra nga Klinika Infektive dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren, prej të cilave kanë rezultuar pozitive 195.

Me rastet e mbrëmshme, numri i rasteve të konfirmuara që nga 13 marsi ka arritur në 3 mijë e 703, me gjithsej 79 raste të vdekjes të cilët kanë pasur sëmundje të tjera shoqëruese.