Policia e Kosovës

Prizrenasi gjen një kuletë me mbi 500 euro, e dorëzon në polici

Një qytetar nga komuna e Prizrenit, me inicialet A.P., ka gjetur një kuletë me shumë prej 525 eurove, 6100 lekë shqiptare, para metalike prej një dollari amerikan, si dhe dokumente personale si letërnjoftimin dhe patentë shoferi.

Ai menjëherë e ka njoftuar Policinë dhe të hollat e gjetura i ka dorëzuar në Stacionin Policor në Prizren, ka njoftuar policia.

“Personit që i kishte humbur kuleta ishte A.D., nga Republika e Shqipërisë. Pranim-dorëzimi i kuletës mes palëve është bërë në Stacionin Policor në Prizren. Me këtë rast, Drejtoria Rajonale e Policisë në Prizren e ka falënderuar qytetarin A.P. për gjestin human dhe shembullor me rastin e dorëzimit të hollave të gjetura në Stacionin e Policisë”, thuhet në njoftimin e Policisë.