Prizren: Arrestohen tre persona për gjuajtje me armë zjarri

Dje në orët e pasdites, Policia në Prizren ka pranuar një informacion për gjuajte me armë zjarri në rrugën transite në afërsi të lagjes ‘Petrovë’.

Ekipet e Policisë kanë reaguar menjëherë në mënyrë profesionale dhe pas një kohe shumë të shkurtër kanë arritur të ndalojnë një automjet të dyshimtë të tipit BMW, ngjyrë e bardhë me targa vendore, ku gjatë kontrollimit kanë vërejtur gjurmë të dëmtimit të automjetit që dyshohet se janë shkaktuar nga arma e zjarrit.

Nga hetimet e para të filluara Policia ka arritur të mësojë identitetin e personave të dyshuar, ka bërë kontrollimin e zonës dhe me njoftimin e prokurorit përveç bastisjes së automjetit, janë bastisur edhe shtëpitë e personave të dyshimtë, ku në njërin lokacion Policia ka gjetur dhe ka sekuestruar në cilësinë e provës materiale 1 (një) armë të tipit AK 47, 1 (një) karikator dhe 15 fishekë të kalibrit 7.62. Gjithashtu në cilësinë e provës është sekuestruar edhe automjeti i tipit BMW, ngjyrë e bardhë me targa vendore si dhe një motoçikletë e tipit
Skuter.

Personat e dyshuar të arrestuar në këtë rast janë:

D. K. lindur me 1992 m/sh/k
Sh. K. lindur me 1994 m/sh/k
M. Xh. lindur me 1994 m/sh/k

Në këtë operacion Policia me urdhër të prokurorit kompetent ka ndaluar në mbajtje tre personat e dyshimtë për 48 orë, të cilët dyshohet se janë përfshirë në incidentin e gjuajtjes me armë zjarri, ku njëri nga të dyshimtit ka kërkuar ndihmë mjekësore si pasojë e lëndimit nga arma e zjarrit.

Rasti është cilësuar si vrasje në tentativë.