Pritet rrëzimi i qeverisë në Mal të Zi, Abazoviq me shqiptarët tjerë synojnë formimin e një qeverie të re

Me nismën e Lëvizjes Qytetare Ura në Mal të Zi të udhëhequr nga zëvendëskryeministri aktual, Dritan Abazoviq, sot pritet të rrëzohet qeveria aktuale në Podgoricë.

Dritan Abazoviq tha të hënën se pret që të gjithë deputetët ta mbështesin rrëzimin e qeverisë aktuale dhe zgjedhjen e një qeverie të pakicës. Siç raporton gazeta më e vjetër malazeze, Pobjeda, propozimin e Abazoviqit e kanë mbështetur dje edhe lideri i Listës Shqiptare, Nik Gjeloshaj dhe ai i Koalicionit Shqiptar “Njëzëri”, Fatmir Xheka, përcjell Gazeta Express.

Të njëjtën e ka bërë edhe Ervin Ibrahimoviq, lideri i Partisë Boshnjake.

Në një deklaratë të përbashkët ata theksuan se modeli i qeverisë së pakicës është realist dhe optimal për të dalë nga situata aktuale politike dhe se mund t’i sjellë Malit të Zi stabilitetin e nevojshëm dhe përshpejtimin e procesit të integrimit evropian.

“Besojmë se mbështetja sa më e gjerë për këtë koncept në Parlamentin e Malit të Zi do të ishte e dobishme për shoqërinë tonë, për harmoninë multietnike të Malit të Zi dhe për ruajtjen e vlerave themelore për të cilat ne luftuam”, thuhet në një deklaratë të përbashkët.

Deri në fund të ditës së sotme, nisma e re për shkarkimin e Qeverisë duhet të kalojë në procedurë parlamentare, mëson Pobjeda.

Burime pranë partive parlamentare konfirmuan se tashmë janë mbledhur 44 nënshkrime të deputetëve që do ta mbështesin nismën, ndonëse nuk përjashtohet mundësia që dokumenti që do t’i dërgohet Kuvendit t’i ketë 27 nësnshkrime parlamentare, që mjaftojnë për ta thirrur seancën.

Lëvizja Qytetare Ura dhe Lidhja e Qytetarëve CIVIS, që garuan në zgjedhjet parlamentare në Mal të Zi të mbajtura në vitin 2020 në kuadër të listës “E zeza mbi të bardhë”, propozuar formimin e një qeverie të pakicës, si model për tejkalimin e krizës politike në këtë shtet.

Me mbështetjen e Partisë Demokratike të Socialistëve (DPS) të presidentit Millo Gjukanoviq, e cila ka 30 deputetë në Parlamentin malazez, Lëvizja Ura siguron numrin e mjaftueshëm të votave për një mocion mosbesimi ndaj Qeverisë së kryeministrit Zdravko Krivokapiq.

Lëvizja Qytetare Ura dhe Lidhja e Qytetarëve CIVIS thanë të hënën se në qeverinë e propozuar prej tyre nuk do të kishte vend për partinë më të madhe opozitare, DPS-në e Gjukanoviqit, e as për partinë pro-serbe, Fronti Demokratik (DF), që është partia më të fuqishme në qeverinë aktuale.

Nga “Ura” dje kanë shpjeguar se cila do të jetë detyra e qeverisë minoritare që pritet të formohet.

Ata thanë se duan një qeveri që do ta nisë integrimin evropian, do t’i zhbllokojë institucionet, do ta vazhdonte luftën e vendosur kundër krimit dhe korrupsionit, do të siguronte rimëkëmbjen ekonomike, do t’i zbatonte reformat dhe do t’ua rriste pagat e qytetarëve dhe do të lejonte investime të reja të huaja dhe fondet e BE-së që tani janë ndalur për shkak të situatës së paqëndrueshme politike.

“Një qeveri që do t’i zgjidhë dhe mbyll përfundimisht çështjet që polarizuan shoqërinë tonë në vitet e mëparshme, por edhe vite më parë – të nënshkruajë një marrëveshje themelore me Kishën Ortodokse Serbe në përputhje me Kushtetutën dhe interesat kombëtare të Malit të Zi dhe në këtë mënyrë të lehtësojë zhvillimin socio-politik nga çështjet kishtare”, thanë nga Ura.

Përveç kësaj, ata shtuan se qeveria duhet ta mundësojë stabilizimin e marrëdhënieve me fqinjët dhe ta pasqyrojë fuqishëm karakterin e shoqërisë civile, laike dhe multietnike.