Që prej orës 11 të mëngjesit të kësaj të diele, në Gjykatën Penale të kryeqytetit ka nisur seanca gjyqësore për masat e sigurisë ndaj 11 të arrestuarve, në lidhje me protestën para Kuvendit të Shqipërisë ku mbetën të plagosur 12 efektivë policie.
Prokuroria ka kërkuar “arrest me burg” për ta, ndërkohë që të pranishëm në seancë janë parë edhe deputetë të opozitës, nga PD dhe LSI.
Familjarët e protestuesve nuk janë lejuar të futen në sallën e gjyqit, por janë mbledhur jashtë Gjykatës së Shkallës së Parë të Tiranës, duke protestuar për lirimin e të afërmve të tyre.
Deri më tani dihet vetëm masa e sigurisë, dhënë nga gjyqtari Besnik Hoxha në prani të prokurorit Ndini Tavani, ndaj shtetasit Ilia Sketiraj, i dënuar me 30 ditë burgim.
Mediet u lejuan vetëm për pak minuta në fillim, më pas seanca ka vijuar me dyer të mbyllura. Policia e Tiranës, ndërkohë, kanë marrë masa shumë të rrepta sigurie, për shkak të informacioneve se mund të kishte përpjekje për cënim të seancës gjyqësore.
Për shkak të masave për të mos lejuar hyrjen e personave të paautorizuar në sallë pati edhe një përplasje fizike fillimisht mes deputetëve dhe avokatëve të të pandehurve.







