Prishtinë

Prishtinasit nuk duan të mbushet edhe më tej me varreza Parku Memorial në Velani

Parku Memorial në Velani, ku janë edhe varrezat në të cilat janë varrosur Presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova, veprimtari i çështjes shqiptare Adem Demaçi dhe shumë dëshmorë, së fundmi është bërë temë diskutimi. Banorët janë shprehur të pakënaqur pasi duan që pjesën tjetër të parkut ta shfrytëzojnë për të pushuar dhe për të kaluar kohë me fëmijët e tyre.

Banorët e lagjes “Velania” po kanë frikë se Parku Memorial i lagjes së tyre do të shndërrohet në një park varrezash, e kjo sepse është rritur numri i varreve në atë vend.

Flamur Bunjaku, qytetar i Prishtinës, ka shkruar në profilin e tij në Facebook se ky park duhet t’u kthehet fëmijëve dhe jo të shndërrohet në varrezë kolektive, sepse sipas tij Komuna e Prishtinës ka ndarë një parcelë në periferi të qytetit, për varrosjen e personaliteteve politike dhe dëshmorët, por kjo po vazhdon të bëhet ende në këtë park.

“Së paku mos lejoni fëmijët të luajnë dhe të bëjnë aktivitete tjera në Park. Nëse është vendos që Parku të shndërrohet në varrezë, atëherë, së paku mbroni fëmijët dhe mos i lejoni të kalojnë kohë ne park. Ose Park ose varreza. Të dyja bashkë nuk shkojnë. Për me tepër në Park kalojnë tubacionet e ujit që furnizojnë një pjesë të Prishtinës me ujë”, ka shkruar Bunjaku.

Pakënaqësinë e tyre, banorët e kanë shfaqur edhe tek Drejtori i Agjencisë për Menxhimin e Komplekseve Memoriale, Bislim Zogaj.

E mendim të njëjtë me qytetarët ka edhe Zogaj, i cili ka thënë se synon që aty të bëhet një park i cili përfaqëson jo vetëm lagjen dhe Prishtinën, por gjithë Kosovën.

“Pas ardhjes sime në këtë agjenci, e kam parë që ka disa probleme rreth këtij parku, duke u nisur prej faktit që para luftës ky ka qenë një park memorial, mirëpo pas luftës janë varrosur disa dëshmorë, pastaj Presidenti Ibrahim Rugova e së fundmi Adem Demaçi. Personalisht kam qenë i interesuar ta ndryshoj projektin, të bëhet diçka krejt tjetër sepse qytetarët kanë shumë vërejtje rreth atij parku sepse përmes mediave kanë dëgjuar se aty do të bëhet një park vetëm për varreza. Ata kanë ardhur tek unë dhe e kanë shprehur pakënaqësinë si dhe frikën e tyre rreth shndërrimit të këtij parku në park të varrezave. Unë mendoj që nuk duhet të bëhet park i varrezave por të ndryshohet projekti”, është shprehur Zogaj.

Ai tutje ka thënë se nuk duhet të vazhdohet me varreza në atë park, mirëpo do të diskutohet se a do të mbesin aty varret që janë tani.

“Gjithsesi nuk do të vazhdohet me varreza, a do të mbeten ato që janë aty apo çfarë do të bëhet do të diskutojmë me të gjithë faktorët relevantë, sepse nuk mund të përgjigjem unë se ku mund të shkojnë ato varre. Mendoj që janarin e vitit të ardhshëm të organizojmë një tryezë për të diskutuar bashkë me Komunën e Prishtinës, që të kemi bashkëpunim për të siguruar ndonjë vend tjetër, Ministrinë e Ambientit, Ministrinë e Kulturës, por edhe me Kryeministrin dhe Presidentin, sepse mendojmë që ky park do duhej të ketë një karakter më të gjerë, që edhe të ketë vend për të pushuar por edhe të dihet një histori e jona nga kemi ardhur”, ka theksuar Zogaj.

Për zhvendosjen e varreve që tashmë janë në atë park memorial, Zogaj ka thënë se është çështje e ndjeshme të lëvizen varri i Rugovës, Demaçit dhe dëshmorëve, sepse këto personalitete të shquara tregojnë historinë tonë si popull.

Mirëpo, ai thotë se assesi nuk duhet të vazhdohet me varreza të reja në atë hapësirë, por do të mundohen ta gjejnë një gjuhë të përbashkët me të gjitha institucionet përgjegjëse që ai park të shndërrohet në një vend të bukur për t’u vizituar, por edhe të mbartë në vetë historinë e luftës që ka kaluar Kosova. E kjo sipas tij duhet të bëhet duke tejkaluar ndasitë politike.

Ndërsa nga Komuna e Prishtinës, thonë se kjo nuk është kompetencë e tyre, sepse ai është Kompleks Memorial, me të cilin nuk menaxhon komuna.

“Ajo zonë është “Kompleks Memorial” me të cilin menaxhon Agjensioni për Memoriale, në nivel qendror”, ka thënë Adonis Tahiri, Zëdhënës për Komunikim në Komunën e Prishtinës.