Prishtinasi i drejtohet me një letër Kryeministrit, kjo është arsyeja

Qentë endacakë janë bërë problem për banorët e Prishtinës. Ata kërkojnë ndihmë tek institucionet që t’iu bëhet një zgjidhje për këtë problem, madje disa prej tyre kanë shprehur shqetësim edhe përmes rrjetit social në facebook. Njëri prej tyre është edhe Mustafë Bajrami, që përmes një postimi në rrjetin social facebook ka bërë të ditur se i është drejtuar krerëve të shtetit dhe i cili i’u është lutur për ndërmarrje të masave.

Postimi i plotë i Bajramit:

Prap Letër e Hapur Kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinajt dhe Kryetarit të Komunës së Prishtinës Shpend Ahmetit!Zotërinjë, fëmijët i kemi në rrezik jete ndërsa shteti as që do me dëgjue!Tri herë i jam drejtuar me Letër të Hapur Kryeministrit të Kosovës, Presidentit, Kryeparlamentarit e Kryetarit të Prishtinës. Disa herë privatisht kam folur me njerëz e me këshilltarë të tyre. Asnjëherë dhe kurrë askush s’na ka pyetur për dertin tonë, neve banorëve të Lagjes Qëndresa në Prishtinë. Jeta jonë dhe e femijëve tanë është në rrezik. Kësaj radhe nga qentë endacak që na hyjnë edhe nëpër oborre.

Më parë hajnat i bënë rapidoll shtëpitë tona. Të rralla janë shtëpitë e kësaj lagje që nuk janë vjedhur. Shtëpinë time 5 herë dhe ende asnjë vjedhje nuk është zbuluar e asnjë hajn nuk është kapur. Edhe pas ankesave të mia tek gjithkund ku duhej ankuar e në fund disa herë edhe në Inspektoratin e Lartë të Policisë, hajnat nuk u gjetën, kerret nuk na gjetën e asgjë që na vjedhën hajnat nuk na është kthyer.

Tani qentë endacak na janë versulur. Nuk po guxojmë t’i lëmë fëmijët tanë të luajnë as nëpër oborre, le ma nëpër rrugë. Janë mbi 50 qenë që po tmerrojnë jetën tonë.

O ju katër zoterinjë e sipërpërmendur që me votat tona sot na udhëhiqni!

A dëgjoni zërin tonë?

A keni femijë?

A do të ishit brengosur për fëmijët tuaj nëse edhe ata sikur femijtë tanë do të sulmoheshin nga qentë endacak?

Çka do të bënit po të ishit në vendin tonë?

Kujt do t’i ishit drejtuar kështu me katër Letra të Hapura, apo, a do të kishit qenë në gjendje të tregoheni kaq shumë durimtarë sa ne po tregohemi?

Na thuani, çka të bëjmë, ku të shkojmë e tek kush tjetër të ankohemi?

Kryeministër i Kosovës e ti o Kryetar i Komunës së Prishtinës!

Juve dyve posaqërisht po ju drejtohem! Më thuani, kah t’ia mbajmë ne para se mos thashtë Zoti, fëmijët tanë të bëhen ushqim i qenve që janë shtuar në përmasa tmerruese?!

Më thuani, ju lutem, kah t’ia mbajmë…?