Prishtina zyrtarizon përforcimin e radhës

Kryesia e FC Prishtinës nuk e ka mbyllur “kuletën” sa i përket transfereve cilësore në afatin kalimtar të verës.

Një nga dëshirat e kësaj vere të trajnerit Ismet Munishi ka qenë edhe sulmuesi i krahut, Shefit Shefiti.

24-vjeçari shqiptar nga Tetova e  Maqedonisë së Veriut vjen te Prishtina nga skuadra shqiptare Renova e Xhepçishtit, klub i cili është shuar për shkaqe financiare.

Shefiti ka luajtur me shumë sukses te Renova duke marrë pjesë me këtë ekip edhe në garat evropiane.

Para Renovës, Shefiti ishte pjesë e Shkëndijës së Tetovës për katër edicione derisa i ka fituar edhe dy tituj kampion dhe një Kupë të Maqedonisë së Veriut.

Shefiti konsiderohet si futbollist me shumë potencial e vlerat e tij kanë rënë në sy edhe të drejtuesve të Federatës Shqiptare të Futbollit ku vite më parë ka qenë e Kombëtares “kuqezi” (U-21).

Pas testeve mjekësore të kryera me sukses, nënshkrimit të kontratës 1-vjeçare me mundësi vazhdimi edhe për 1-vit tjetër me Prishtinën, Shefiti është njohur me ambientet e stadiumit ‘Fadil Vokrri” dhe është prezantuar edhe me futbollistët e më pas i ka filluar stërvitjet derisa e ka dhënë edhe një intervistë për faqen zyrtare të klubit bardhekaltër duke u shprehur i lumtur që është bërë “bardhekaltër”.

𝑫𝒆̈𝒔𝒉𝒊𝒓𝒂 𝒑𝒆̈𝒓 𝒕’𝒊𝒖 𝒃𝒂𝒔𝒉𝒌𝒖𝒂𝒓 𝑷𝒓𝒊𝒔𝒉𝒕𝒊𝒏𝒆̈𝒔 – Prishtinës iu bashkova me shumë dëshirë dhe e kam gjetur  një kolektiv shumë të mirë. Besoj shumë se do të kemi suksese drejt qëllimeve që i ka klubi.

𝑷𝒓𝒆𝒎𝒕𝒊𝒎𝒊 – Është kënaqësi dhe nder të bartësh fanellën e klubit më të madh në Kosovë. Kjo fanellë duhet mbrojtur me sukses andaj duhet dhënë maksimumin.

𝑺𝒚𝒏𝒊𝒎𝒆𝒕 – Synimet me Prishtinën janë titulli kampion dhe pjesëmarrja në garat evropiane.

𝑽𝒍𝒆𝒓𝒆̈𝒔𝒊𝒎𝒊 𝒑𝒆̈𝒓 𝒕𝒊𝒇𝒐𝒛𝒆̈𝒕 – “Plisat” janë tifozët më të mirë në Kosovë andaj ju premtoj më të mirën time për këtë fanellë që kryeqytetin ta nderojmë me suksese.