Klubi i basketbollit Prishtina do ta zhvillojë të mërkurën ndeshjen e kthimit të së tetës së finales së FIBA Europe Cup ndaj ekipit Varese

Skuadra më e madhe kosovare e humbi ndeshjen e parë nga Pallacanestro Varese në shtëpi në sekondat e fundit.

Ndërsa këtë të mërkurë e luan lojën e kthimit në Itali në kërkim të rikthimit sensacional, edhe pse nuk do të ketë punë aspak të lehtë.

Sidoqoftë, Bardhekaltrit shpresojnë në mbështetje të shqiptarëve që jetojnë në Evropë, posaçërisht të atyre që jetojnë në Itali.

“Të mërkurën nga ora 20:30 luajmë në Itali, në ndeshjen më të rëndësishme deri më tani në FIBA Europe Cup. Me përkrahjen e Shqiptarëve që jetojnë atje dhe me një ndeshje të fortë shpresojmë se do të kualifikohemi”, kanë shkruar prishtinasit në rrjetet sociale.

Prishtina e shkroi historinë këtë sezon duke shkuar deri në të tetën e finales së FIBA Europe Cup.