​Prishtina, arenë e spektaklit të basketbollit 3×3

Sheshi “Zahir Pajaziti” në Prishtinë do të jetë vendtakimi i adhuruesve të basketbollit 3×3 për tri ditë me radhë.

Për herë të parë në Kosovë do të organizohet FIBA 3×3 U23 Nations League nga 10 deri 12 korrik. Në këtë ngjarje do të marrin pjesë gjashtë shtete te meshkujt dhe gjashtë te femrat, ku priten sfida interesante.

Sekretarja e Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK), Elvira Dushku thotë për KosovaPress se janë bërë të gjitha përgatitjet për mbarëvajtjen e kësaj ngjarjeje edhe pse pranon se kjo ishte mjaft sfiduese.

“Sa i përket organizimit të FIBA 3X3 U23 National League tashmë gjithçka është duke u finalizuar… në mënyrë që të hënën nga ora 14:00 të fillojë eventi i 3×3-shit… Në ora 19:00 është hapja solemne, po besojmë që hapjen solemne do ta bëjmë në mënyrën më spektakolare të mundshme. Ndërkaq, sa ai përket përgatitjeve, fal bashkëpunimit që e kemi pasur me FIBA-n edhe me FIBA 3X3 pasi që është hera e parë për ne që e organizojmë një nivel të tillë të garës duke pasur parasysh që kemi organizuar gara në palestra të mbyllura, kjo është hera e parë që në si federatë e kemi marrë një përgjegjësi për ta organizuar një kampionat të tillë si ky i 3×3 U23, atëherë pak ka qenë sfiduese për ne sepse jemi mësuar gjithçka ta kemi në palestër, tani duhet gjithçka ta vendosim te sheshi ‘Zahir Pajaziti’”, tha Dushku.

Shtete si Gjermania, Holanda e Turqia do të jenë pjesë e këtij kampionati duke bërë që konkurrenca të jetë e fortë, por Dushku është optimiste që Kosova do të ketë rezultate pozitive.

“Fakti që do të marrin pjesë Gjermania, Turqia, Holanda, Hungaria, të gjitha këto me basketbollin 3×3 shumë të zhvilluar por edhe basketbollin 5×5, kjo normalisht që e rritë nivelin edhe të organizimit, por edhe të vetë garës, kështu që po besoj se do ta kemi rastin të shohim basketboll cilësor në të dy konkurrencat… Është hera e parë që po marrim pjesë në një garë të tillë… kështu që për vitin e parë për ne do të jetë testuese. Djemtë dhe vajzat tona tashmë janë duke ushtruar çdo ditë U23-shi, por nuk i njohim kundërshtarët, është hera e parë që do t’i shohim, por po besoj që edhe djemtë edhe vajzat që i kemi përzgjedhur do të arrijnë të tregojnë basketboll të mirë të 3×3-shit. Kjo mbetet të shihet nga ndeshja e parë që do të jetë Kosova me Holandën ne konkurrencën e femrave”, tha Dushku.

Menaxherja e eventeve në FBK, Artina Hasani ka ftuar të gjithë adhuruesit e basketbollit që të jenë në sheshin “Zahir Pajaziti” gjatë këtyre tri ditëve, derisa zbulon se do të ketë edhe muzikë e lojëra shpërblyese për të gjithë të pranishmit.

“Lokacioni ka qenë i duhuri për ne në “Zahir Pajaziti” për shkak që ka më shumë shikues edhe përveç basketbollit, në këtë organizim do të ketë mjaftueshëm edhe fun, muzikë edhe lojëra shpërblyese, të holla, fanella të Kosovës, kështu që mendojë se do të jetë mjaftë e mirë dhe interesant për shikuesit për t’u ndalur të shohin një basketboll 3×3 që është diçka e re për Kosovën”, tha Hasani.

Nga FBK gjithashtu kanë bërë të ditur se në rast të kushteve të papërshtatshme klimatike, atëherë ky event do të bartet në njërën nga palestrat sportive në kryeqytet.

Për Kosovën te meshkujt do të luajnë: Mirlind Zekaj, Donat Rexhepi, Drilon Shala dhe Fatlind Shoshaj, ndërkohë te femrat për Kosovën do të paraqiten: Agnesa Rrahmani, Enisa Kamerolli, Sara Vraniqi dhe Anilë Selmani.