Prifti serb e hoqi flamurin shqiptar nga kulla në Koshare, reagon OVL-UÇK’ja

Sekretari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka reaguar pasi para pesë ditësh një prift nga rrethina e Beogradit e hoqi flamurin shqiptar nga tavani i një kulle në Koshare. Videon e ka publikuar gazeta serbe “Novosti”.

Faton Klinaku i ka fajësuar institucionet e Kosovës, që nuk kujdesen për monumentet.

Klinaku ka thënë se janë informuar nga mediat lidhur me këtë skandal, ndërsa ka fajësuar institucionet që nuk kujdesen për këto monumente.

“Të informuar përmes mediave e kemi parë, kjo është e keqja që institucionet e Kosovës nuk përkujdesjen as për varreza, as për lapidare e monumente, që duhet të përkujdesen si nga institucionet komunale, ashtu edhe qendrore. Secili monument duhet me qenë në përkujdesje”, ka thënë Klinaku për “Zërin”.

Ai ka fajësuar edhe institucionet e drejtësisë, të cilat nuk kanë arritur ta arrestojnë personin që shihet duke hequr flamurin shqiptar në Koshare.

“Për këtë rast po të kishte Kosova organe të drejtësisë ai është dashur të arrestohet menjëherë, me këtë akt ai ka fyer të gjitha vlerat e kombit shqiptar”, ka shtuar Klinaku.