Prezantohen masat e reja të Qeverisë
Drejtori komunal për Shëndetësi në Prizren, Visar Shehu ka thënë për KALLXO.com se prej datës 27 shkurt deri më 5 mars, se në Kosovë përmes pikës kufitare në Vërmicë kanë hyrë 122 persona nga Malisheva e të cilët kanë ardhur prej Italisë.
Italia bën pjesë te vendet me më së shumti persona të prekur me coronavirus në botë.
“Në këtë periudhë kohore, pra prej 27 shkurt-5 mars, 122 persona nga Malisheva kanë hyrë në pikën kufitare në Vërmicë të ardhur nga Italia”, ka thënë Shehu për KALLXO.com.
Më herët, Shehu ka treguar se gjatë të njëjtës periudhë kohore, në Kosovë kanë hyrë gjithsej 485 persona nga Italia përmes pikës kufitare në Vërmicë.
Në Kosovë janë konfirmuar 5 raste me Coronavirus, tri raste në Viti, një në Malishevë dhe një në Klinë. Personat e parë të prekur kishin ardhur nga Italia në Kosovë.
Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për ndalimin e hyrje daljeve nga tri komunat ku janë shënuar rastet e para me coronavirus ndërsa janë izoluar të gjithë personat të cilët kanë pasur kontakt me personat e prekur me coronavirus.
Si masa parandaluese, Qeveria e Kosovës ka mbyllur të gjitha restorantet, pubet, qendrat tregtare, kafiteritë, ka pezulluar aktivitetet kulturore, ka ndaluar transportit tokësor dhe ndërkombëtar për të gjithë personat që hyjnë në Kosovë, ka ndaluar transportin ndër-urban, etj.