Pretendimi i Hekuran Muratit për luftën “tremujore” të UÇK-së, i njëjtë me narracionin e Serbisë

Reagimet ndaj “margaritarëve” të Hekuran Muratit nuk kanë të ndalur.

Duke i kalkuluar shifrat e pensioneve për veteranët e luftës së UÇK-së, Hekuran Murati kishte shkruar se “këta tre muaj lufte të një ushtrie guerile donë me na dalë shumë më shtrenjtë se një ushtri e rregullt”. Madje, ai kishte shkuar edhe më larg, duke thënë se edhe “mercenarë me pas angazhu na kish dalë më lirë”, shkruan Demokracia.com.

Por, pretendimi i Hekuran Muratit për tre muaj luftë në Kosovë është në përputhje të plotë me narracionin serb. Njëjtë sikurse Murati pretendon edhe Serbia që lufta në Kosovë ishte tremujore, aq sa zgjaten bombardimet e NATO-s.

Megjithatë, historiani Agim Zogaj në një prononcim për Demokracia.com ka thënë se dalja e parë publike e UÇK-së para popullit në varrimin e mësuesit Halit Geci mbetet paraqitja e parë e UÇK-së, porse historia e themelimit të saj datoj që nga viti 1992.

Historiani Agim Zogaj thotë se deklarata e Muratit ka reflektime tejet të rënda për proceset ndërkombëtare nëpër të cilat po kalon Kosova.

“Në historikun e UÇK-së, data e daljes publike të UÇK-së është dhe do të ngelet paraqitja e UÇK-së para popullit të Drenicës dhe të mbarë Kosovës në ditën e varrimit të mësuesit patriot Halit Geci nga forcat pushtuese serbe. Por, historia e themelimit të UÇK-së daton shumë vite më parë. Unë, personalisht, gjatë qëndrimit tim në Tiranë më 1992 jam njoftuar nga korrespondenti i programit të BBC, Lazër Semini, se djemtë e Kosovës njësitet e UÇK-së po udhëtojnë në malet dhe fushat e Elbasanit. UÇK-ja ishte dhe do të mbetet në historinë moderne shqiptare, në veçanti të Kosovës, arritja më monumentale e Shqiptarisë, gjithmonë historia më e përndritur e kombit”, ka thënë Zogaj për Demokracia.com.

Deklarata e ministrit Murati, sipas tij, është skandaloze dhe e papërgjegjshme nga aspekti kombëtar.

“Është papranueshme nga ana e ministrit dhe duhet të kërkoj falje para veteranëve, familjarëve të tyre dhe para popullit të Kosovës. Është në përgjegjësinë e kryeministrit të distancohet nga deklarata e Muratit dhe gjithsesi Kurti si veteran i UÇK-së duhet ta vlerësojë dhe përcaktojë përgjegjësinë konsekuencat institucionale ndaj Muratit. Deklarata e Muratit ka reflektime tejet të rënda për proceset ndërkombëtare nëpër të cilat po kalon Kosova e jonë”, ka thënë ai.

Ndryshe, ministri Hekuran Murati sot i ka fshehur postimet e tij të së kaluarës, pas ripublikimeve të tyre nëpër rrjete sociale. /Demokracia.com/