Pretendimet e ZPS-së: Viktimat e Salih Mustafës ishin pjesë e Lidhjes Demokratike të Kosovës

Prokurori Cezary Michalczuk nga ZPS në seancën e parë gjyqësore ndaj Salih Mustafës pretendon se viktimat e Komandant Calit ishin pjesë e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Prokurori në seancë ka thënë se viktimat ishin shqiptarë të Kosovës të cilët janë akuzuar si kolaboracionistë me serbët.

“Viktimat ishin shqiptarë të Kosovës, të ndaluarit janë akuzuar se ishin kolaboracionistë me serbët, realiteti është se viktimat i përkisnin një partie tjetër politike, Lidhjes Demokratike të Kosovës(LDK).  Atyre nuk u është thënë asnjëherë se pse ishin ndaluar apo arrestuar. Viktimat janë detyruar të flenë në dysheme në një ahur kafshësh. Asnjë kujdes mjekësor nuk u është ofruar atyre gjatë rrahjes nga i akuzuari dhe vartësit e tij”, ka thënë Prokurori Michalczuk.

Ai poashtu ka prezantuar edhe disa të dhëna tjera për kompleksin që është përdorur nga Salih Mustafa dhe sipas tij provat e Prokurorisë do të tregojnë se krimet e pretenduara janë kryer nga i akuzuari.

“Ish-pjesëtarë të Brigadës 153 të UÇK-së do të dëshmojnë se ky kompleks ishte përdorur nga njësiti BIA i cili komandohej nga i akuzuari. Provat e ZPS-së do të tregojnë se krimet e pretenduara nga ne janë kryer nga i akuzuari. Provat e Prokurorisë nuk do të lënë asnjë pikë dyshimi se këto krime kanë ndodhur dhe i akuzuari ka qenë përgjegjës për to. Ndërtesa e rrethuar është ndërtesa ku kanë ndodhur krimet të cilat ngrihen si pjesë e aktakuzës. Këtu përshkruhen tri ndërtesa në Zllash, ku në prill 1999 janë mbajtur në mënyrë të paligjshme dhe janë keqtrajtuar disa të burgosur shqiptarë të Kosovës”, ka thënë Prokurori i ZPS-së.