Pretendimet e avokatit kosovar për rrahjen e fëmijës brenda stacionit policor, deklarohet IPK

Inspektorati Policor i Kosovës, është në fazën e grumbullimit të informacioneve lidhur me rastin e publikuar dje nga avokati Gazmend Halilaj, i cili pretendon se një ditë më parë një fëmijë palestinez është rrahur brenda stacionit policor “Qendra” në Prishtinë.

Sipas avokatit Halilaj, shtetasit palestinez nuk i është dhënë as ndihmë mjekësore, ndërsa ka paralajmëruar edhe një kallëzim penal kundër institucioneve për zbatimin e ligjit.

IPK thotë se akoma nuk kanë pranuar ndonjë ankesë mirëpo pas publikimit të lajmit ka nisur grumbullimi i informacioneve.

“Inspektorati Policor i Kosovës nuk ka pranuar ndonjë ankesë lidhur me këtë rast, sidoqoftë, pas publikimit të lajmit sipas detyrës zyrtare ka filluar grumbullimin e informacioneve dhe të dhënave shtesë. Veprimet tjera do të ndërmirren në përputhje me autorozimet ligjore të IPK-së”, thuhet në përgjigjen e IPK-së dhënë Gazetës Express.

Ndryshe, avokati ka pohuar se fëmija ka kërkuar strehim në kampin e refugjatëve dhe të njëjtit nuk i është ofruar strehim.